Lala “pason” tek Agolli: Fryma e grupit çelësi, Shqipëria fiton vetëm në një mënyrë!

schedule16:17 - 17 Nëntor, 2020

schedule 16:17 - 17 Nëntor, 2020

Koha e ish-kapitenëve të kombëtares për të mbështetur futbollistët aktualë të Shqipërisë. Pas altin Lalës, tani është radha e Ansi Agollit që gjendet pranë shokëve të tij. Nga SHBA ai vijon ta ndjekë kombëtaren kuqezi dhe për “fshf.al” ai flet fillimisht për triumfin e së dielës kundër Kazakistanit.

“E pashë me vëmendje ndeshjen kundër Kazakistanit. Mendoj se ishte një ndeshje jo e lehtë për skuadrën tonë. Nga ana psikologjike, ndeshje e ngarkuar, pasi kjo ndeshje të çonte ose jo te ndeshja e ardhshme që është kundër Bjellorusisë, që është po ashtu një ndeshje e rëndësishme.

Në njëfarë mënyre i kuptoj lojtarët që ishin pak të ngarkuar nga ana psikologjike, megjithatë, ata luftuan fort, dhanë maksimumin që në fund të ditës të merrnin atë që dëshironin, që ishte trepikëshi. Mendoj se tre pikët e kësaj ndeshje ishin gjëja më e rëndësishme e këtij objektivi. Tani është objektivi i ardhshëm që është ndeshja kundër Bjellorusisë”.

Më pas, Agolli ka edhe diçka për të shtuar: “Mesazhi im është që djemtë të qëndrojnë bashkë, të luajnë si një skuadër, të zbatojnë detyrat e trajnerit. Kur them të jenë bashkë, them i gjithë grupi, jo vetëm lojtarët që luajnë në 11-n e parë, por edhe ata që vijnë nga pankina, sepse kjo ndeshje mund të fitohet në minuan e parë, mund të fitohet edhe në minutën e fundit dhe mund të fitohet edhe nga lojtarët që vijnë nga pankina.

Kështu që fryma e grupit është mjaft e rëndësishme në të tilla ndeshje dhe shpresoj dhe uroj që lojtarët të bëjnë një ndeshje të mirë dhe në fund të marrin atë që dëshirojnë dhe që është më e rëndësishme, 3 pikët, për arritjen e objektivit që ata kanë. Kam besimin që ato do kalojnë me sukses dhe pse jo të gëzohen edhe tifozët e shumtë që skuadra ka, që vendi ynë ka. Të gëzohen sa më shumë nga arritja e këtij objektivi. Forca çuna”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!