Lakers “fluturojnë” me James, Boston Celtics thellojnë rekordin e fitoreve

schedule14:34 - 4 Prill, 2024

schedule 14:34 - 4 Prill, 2024

Ndoshta u zgjua vonë në këtë sezon, por tani LeBron Xhejms po merr në krahë Los Anxheles Lejkërs dhe po i çon në zonën e plej-of në Konferencën e Perëndimit. Një mision që dukej thuajse i pamundur deri pak javë më parë, ndërsa pas ecurisë pozitive në ndeshjet e fundit ky objektiv duket mëse i arritshëm.

Skuadra kaliforniane triumfoi në transfertën e Uashington me 5 pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 125-120.
“Mbreti” LeBron shënoi 34 pikë në këtë sukses të Lejkërs, ndërsa një ndihmë të madhe dhanë me koshat e tyre, Devis dhe Rasëll. Kjo ishte fitorja e 44 në sezonin e rregullt, që nisi plot oshilacione për Xhejms dhe shokët e tij, që iu duhet ende punë për të siguruar biletën për në fazën tjetër të NBA.

Në mbrëmjen e fundit të basketbollit amerikan u shënua një tjetër përmbysje në kreun e Konferencës së Perëndimit.
Minesota u ngjit sërish në vendin e parë, duke kaluar kampionët në fuqi të Denver.
Timbërulfs nuk janë më një surprizë, pas fitores së ekzagjeruar në shtëpi kundër Toronto me 48 pikë diferencë në shifrat përfundimtare 133-85. Entoni Eduards ishte shënuesi më i mirë për Minesota, duke mbyllur ndeshjen me 28 pikë.

Asnjë suprizë me kryesuesit e Lindjes. Pasi ka siguruar vendin e parë, Boston mendon vetëm për të thelluar rekordin e fitoreve në këtë sezon të rregullt të NBA. Ajo numër 60 erdhi në triumfin 135-100 ndaj një prej skuadrave më të mira të këtij sezoni si Oklahoma.
Në “TD Garden” Sëlltiks dominuan falë një tjetër paraqitje të shkëlqyer të yllit Xhejzon Tatum. Po ashtu, ajo e mbrëmjes së fundit ishte një tjetër shfaqe e forcës së Boston si favoritë në garën për titullin kampion në NBA./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!