Lojtarët e ekipit përfaqësues shqiptar po tregohen aktivë në ligat europiane. Cikalleshi shënoi gol, ndërsa Aliji gjeti skuadrën e tij të re.
Edhe dy lajme të mira për kombëtaren. Një tjetër futbollist shënon, ndërsa dikush gjen ekipin e ri. Sokol Cikalleshi realizoi rrjetën e parë për skuadrën e tij të re, Gëztepe, në Turqi, në një fitore të thellë për kupë. Sulmuesi i ekipit përfaqësues ishte autor i golit të tretë të Gëztepesë që fitoi 4-0 në fushën e vet ndaj Çengelkojsporit.
Futbollisti 28-vjeçar shpreson të ketë sukses në karrierën e tij në Turqi, ku më parë luajti për Istanhul Bashaksehirin, Akhisarin dhe Osmanlisporin. Lajmi i dytë i mirë është për Naser Alijin, i cili ishte i fundit ende i pasistemuar.
Aliji duket se do të mbyllë periudhën e vështirë të kombëtares shqiptare, me mjaft lojtarë pa skuadër, pasi edhe ai e gjeti të vetën. Mbrojtësi i majtë do të jetë pjesë e Dinamos së Bukureshtit, klubit të shquar rumun ku dikur luajti Sulejman Demollari.
24-vjeçari u largua nga Italia kur Virtus Entela ra në kategorinë e tretë, ndërsa në të kaluarën luajti për Bazelin e Vaducin në Zvicër dhe Kaizerslauternin në Gjermani. Trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Mirçea Redniç, deklaroi se do të sillte përforcime në skuadër, pas eleminit të turpshëm në Kupën e Rumanisë.
Aliji ka pasur probleme për një kohë të gjatë për të gjetur skuadrat, ndonëse është përkrahur nga trajneri i kombëtares, Panuçi.
Duke mbetur në Rumani, ndërkaq, një tjetër lojtar i kombëtares shënoi gol, dhe ky ishte Azdren Llullaku që realizoi në fitoren 4-3 të ekipit të tij, Astra Xhurxhu, në Kupën e Rumanisë ndaj Universitateas së Kluzhit./abcnews.al