Lajçak publikon fotografitë e takimeve me Kurtin e Vuçiçin: Po përgatitemi për nesër

schedule22:25 - 17 Gusht, 2022

schedule 22:25 - 17 Gusht, 2022

Në Bruksel janë zhvilluar sonte disa takime mes ndërmjetësuesve të SHBA-së dhe BE-së më kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Pas takimeve, Përfaqësuesi Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka publikuar fotografi me dy liderët, që do të takohen nesër kokë më kokë.

Lajçak shprehet se po bëhen përgatitjet e fundit për nesër, për takimin mes Kurtit dhe Vuçiçit.

“Në prag të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, pata takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, për t’u përgatitur për diskutimet e nesërme”, ka shkruar Lajçak.

Takime me Kurtin e Vuçiç ka zhvilluar edhe i Dërguari i Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili po qëndron në Bruksel. Escobar ka thënë se Asociacioni i Komunave serbe, një çështje që pritet të diskutohet me prioritet nesër, duhet të krijohet duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. /abcnews.al/