Lajçak pas takimit me Osmanin: Biseduam për dialogun Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë për zgjidhje konkrete

schedule08:33 - 23 Shtator, 2022

schedule 08:33 - 23 Shtator, 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në New York, në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I dërguari i BE-së në një postim në Twitter shkruan se me presidenten Osmani ka vazhduar diskutimin se si të çohet para procesi i dialogut në normalizimin e raporteve me Serbinë dhe nevojën për zgjidhje konkrete.

“Në New York takova presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe vazhduam diskutimin tonë për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe nevojën për zgjidhje konkrete”, shkruan Lajçak.

Ndryshe, përveç me Lajçak, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Neë York, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar edhe zyrtarë të tjerë.

Gjatë pritjes së mbrëmshme, të organizuar nga presidenti Biden, presidentja Osmani është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit.