Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, u kualifikua në finalen e Kupës së Italisë, pas fitores së Lacios ndaj Milanit. Ai shpreson të ndeshet në finale me shqiptarët e Atalantës, Berisha e Gjimshiti
Mund të kemi një finale mes shqiptarëve.
Lacio mbërriti në ndeshjen fundore të Kupës së Italisë, pasi mundi Milanin në “San Siro”, dhe kjo do të thotë se Tomas Strakosha që ishte në portë, dhe Riza Durmishi që ishte në stol, do të luftojnë për trofeun e dytë më të madh kombëtar.
Bashkë me ta, edhe Igli Tare, drejtori sportiv i lacialëve.
Kryeqytetasit janë në pritje të finalistes së dytë, që do të vendoset pas duelit mes Atalantës dhe Fiorentinës.
Skuadra e Bergamos ka në përbërje dy shqiptarë të tjerë, portierit Etrit Berisha dhe mbrojtësin Berat Gjimshiti.
Duke iu kthyer ndeshjes së “San Siros”, duhet thënë se Lacio e meritoi, pasi luajti më mirë sesa Milani.
Pati më shumë raste, dhe shfrytëzoi shpejtësinë e Hoakin Korreas, autorit të golit të vetëm, shënuar në nisje të pjesës së dytë.
Me kualifikimin në Champions thuajse të kompromentuar, lacialët deshën të kishin të paktën një sukses këtë edicion.
Nëse fitojnë Kupën, do të ishte një arritje, edhe pse asgjë nuk e zëvendëson Ligën e Kampionëve.
Milani, ndërkaq, duket në rënie të vazhdueshme.
Skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo është larg formës së saj të disa javëve më parë, dhe si nata me ditën, me atë që presin tifozët.
Ja komenti mediatik.
“La Gazeta delo Sport”: Një “Djall” i vogël! Lacio në parajsë, është finale! Milani i dominuar nga skuadra e Inzagit në Kupën e Italisë! Gatuzo: Një shëmti, të lodhur dhe pa besim!
“Tutosport” bën lojë fjalësh me nofkën e Gatuzos, “Ringio”: Hungërimë e Lacios, Korrea dënon Milanin, dhe skuadra e Inzagit është me meritë finalistja e parë e Kupës!
Trajneri lacial, Stefano Inzagi, padyshim që ishte tepër i lumtur.
“Ne arritëm një objektiv të madh, – tha ai, – do të luajmë finalen e tretë në tre vjet, dhe e merituam plotësisht. Luajtëm më mirë sesa Milani, ndërsa kemi fituar dy herë në “San Siro”, një herë me Interin dhe një herë me Milanin. Gjithsesi, të përqëndrohemi në Serinë A, pasi duhet ta arrijmë Championsin”.
Ish-ylli milanist, Gatuzo, sot në stol, ishte thuajse i dorëzuar.
“Tifozët e Milanit meritojnë më shumë se kaq, – pohoi ai, – në pjesën e parë luajtëm mirë, por pas pushimit Lacio ishte më lart se ne. Luajtëm pa shpirt, pa forcë dhe pa besim. Gjithsesi, nuk mund të qajmë për atë që iku, por të mendojmë për ndeshjen shumë të fortë në kampionat ndaj Torinos”.
Një nga më të dalluarit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, edhe portieri i Lacios dhe i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha.
Ai pati meritën se ndaloi me zotësi, rastet e pakta që Milani krijoi në portën e tij./abcnews.al