Laçi: Të vinte Tare do të largohesha vetë, te Tirana u krijuan dy drejtori të njëjta

schedule23:15 - 8 Tetor, 2020

schedule 23:15 - 8 Tetor, 2020

Arbi Laçi, ish-drejtori i Tiranës, ka folur për merkaton në Shqipëri, duke thënë se çdo klub i suksesshëm, duhet të ndjekë modelin e Skënderbeut, duke u bazuar te produkti vendas e jo te lojtarët e huaj, të cilët janë një sforco ekonomike.

“Doja të mos paragjykoja sezonin që vjen, absolutisht, por kisha parasysh një model suksesi shqiptar tek i cili duhet që klubet fituese të bazohen. Pse? Sepse futbollistët e huaj që vijnë në Shqipëri, ata që janë cilësorë, janë shumë të shtrenjtë.

Prandaj duhet të fokusohen në Shqipëri, Kosovë, dhe në Kosovë është vështirë, sepse ata po ecin tepër. Duhet të fokusohemi te futbollistët shqiptarë, që të bëhesh ti lokomotiva. Tirana meriton komplimente deri te ndeshja ndaj Young Boys. Ishte një sukses, ky sukses duhet të përsëritet, por nuk do të jetë më sukses i ngjashëm nëse është vetëm kaq, duhet të jetë më shumë se kaq.

U krijuan dy drejtori paralele për të njëjtin qëllim, e tha dhe presidenti pak më parë. Pranova që të vija këtu pasi të fliste presidenti. Dy drejtori paralele, për të njëjtin funksion në klub, nuk ndodh askund në botë. Nuk e bëra për asnjë moment, nuk kisha frikë të përballesha. Çdo përballje brenda familjes, i bën dëm familjes. Mund të jem i gabuar. Nëse do të vinte Igli Tare, do ta lëshoja vendin vetë.

Në këtë fushë, është njeriu më i suksesshëm shqiptar. Nuk kam asnjë kompleks ndaj askujt. Nuk paragjykoj dhe nuk kam komplekse, por të bashkëpunosh me dikë që ka eksperiencë më të madhe, është standard të cilin unë e kam. Kjo është historia e përmbledhur e largimit tim nga Tirana. Me respekt, zgjodha që të largohesha pa asnjë polemikë. Kjo është dalja ime e parë dhe e fundit për këtë temë”, tha Arbi Laçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!