Laçi “shkelmon” Tiranën, kurbinasit i shtyjnë bardhebluve festën e titullit

schedule18:40 - 29 Prill, 2022

schedule 18:40 - 29 Prill, 2022

Laçi mori një fitore minimale në shtëpinë e tij përballë Tiranës, ku goli i shënuar nga Guindo do t’i jepte 3 pikë të rëndësishme vendasve për vendin e dytë, ndërsa bardheblutë “shtyjnë” festën e titullit.

Takimi nisi më mirë për kryeqytetasit të cilët që në minutat e para kërcënuan portën e Dajsinanit, por pa mundur ta mposhtin gardianin kurbinas.

Vendasit do të përgjigjeshin me gol në minutën e 13 me të zakonshmin Guindo që tund rrjetën e Visaj Bekaj. 1-0 për bardhezintë e Shpëtim Duros të cilët shënuan një gol spektakolar duke “shtangur” kryesuesit e kampionatit.

Guindo provoi të shënonte edhe golin e dytë, por nuk ia doli të mposhte Bekajn, pasi gardiani i bardhebluve është i vëmendshëm, ndërsa nga krahu tjetër të besuarit e Orges Shehit nga goditja e dënimit provuan me Hoxhallarin , goditja e të cilit u ndal te muri mbrojtës.

Një tjetër rast i rrezikshëm në portën e Tiranës, me Mazrekaj që gjuan direkt nga goditja e dënimit në minutën e 41-të por Bekaj largo topin në këndore.

Në pjesën e dytë miqtë provuan të gjenin golin e barazimit me Hotin, Gjumsin dhe Seferin por nuk finalizuan si duhet.

Ndërkohë kurbinasit nga ana tjetër rrezikuan përsëri me Guindo dhe Julian Shehun, por deri në fund rezultati nuk ndryshoi, me bardhezinjtë e Duros që “shkelmojnë” të besuarit e Shehit, teksa i detyrojnë të presin për të festuar titullin. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!