Laçi luan nesër ndeshjen e parë në Conference League, në transfertë kundër Podgoricës. Ky duel nis prej orës 20:30 dhe kurbinasit duan një rezultat të mirë, që të kualifikohen në raundin tjetër.
Para ndeshjes, trajneri Shpëtim Duro ka folur për gazetarin e abcnews.al, Denis Lala, dhe fillimisht tregon se situata në kampin kurbinas është e mirë pas fazës përgatitore .
“Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë. Zhvilluam një periudhë 2-javore në Strugë, në kushte optimale. Gjendja fizike e skuadrës është e mirë.
Ajo që është më e rëndësishme është që pas 4 javësh stërvitje nuk kemi asnjë dëmtim. Për mua gjendja është e mirë deri tani”, thotë Duro fillimisht.
Më pas ai flet për lëvizjet në skuadrën kurbinase dhe te kundërshtari: “Kemi bërë shumë ndryshime, gati 40 për qind e skuadrës. Ishim të detyruar.
Lojtarët e afruar deri në këto momente duken që janë ambientuar me grupin e lojtarëve që kanë qenë. E kam ndjekur edhe Podgorciën, ata nuk kanë shumë ndryshime. Ne kemi më shumë se ata”.
Për kalimin në turin e dytë, Duro shton: “Në këtë ballafaqim ne jemi favoritë, duke marrë parasysh që Laçi këto vitet e fundit ka marrë pjesë rregullisht në kupat e Europës.
Pjesën e favoritit duhet ta shfaqim në fushën e lojës në të dyja takimet që kemi, në Podgoricë dhe Shqipëri”. Laçi sot do të kryejë seancën e parë stërvitore në Mal të Zi dhe nesër do të zbresë në fushë me objektivin e qartë për të fituar. /abcnews.al