Padyshim, ishte ndeshja më e mirë e sezonit.
Qazim Laçi shënoi golin e parë në Ligën e Parë çeke, si dhe shërbeu asistin e parë, diçka që shpreson ta bëjë më shpesh.
Mesfushori I kombëtares shqiptare shkëlqeu në sfidën ndaj Karvinës, të fituar 4-1, duke realizuar rrjetën për 2-1, e më pas duke shërbyer topin për rezultatin përfundimtar.
Për kampionen në fuqi të Çekisë shkëlqeu edhe sulmuesi I Kosovës, Albion Rrahmani, I cili gjithashtu shënoi një gol dhe krijoi një tjetër.
Rrahmani pasoi për avantazhin e vendasve që në minutën e dytë, ndërsa topin në rrjetë e dërgoi Lukash Sadilek.
Më pas, Karvina barazoi pavarësisht dyshimeve për pozicion jashtë loje, veçse Laçi u përgjigj shpejt, në minutën e 39-të.
Ai pati fat në goditjen e dënimit që e ekzekutoi vetë.
Rrahmani fiksoi për 3-1 në minutën e fundit të pjesës së parë, në një aksion që thuajse e krijoi vetë.
Një gol që tregoi vërtet shumë klas, ndërsa ylli “dardan” pati mundësi për të shënuar përsëri pas pushimit.
Laçi plotësoi ndeshjen e tij shumë të mirë me asistin për sulmuesin Birmançeviç që shtoi rrjetën e katërt dy minuta para fundit.
Sparta është gjithsesi larg vendit të parë, sepse ka vetëm 31 pikë në 17 ndeshje, ndërsa Sllavia e Pragës kryeson me 44 pikë dhe me një ndeshje më pak. /abcnews.al