Laçi u mposht 0-1 në ndeshjen e parë nga Podgorica dhe për më tepër në minutat shtesë Mentor Mazrekaj nuk shënoi dot me penallti golin që do e ndryshonte shumë situatën e kualifikimit në raundin e dytë.
Kurbinasit duhet të fitojnë me të paktën dy gola diferencë, në ndeshjen e sotme që nis prej orës 20:00, që ta kualifikohen dhe do bëjnë gjithçka për këtë. Trajneri Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për gazetarin e abcnews.al, Vladimir Prenga, flet mbi shanset e kualifikimit, situatën në skuadër dhe ndikimin që ka pasur dueli i parë në Mal të Zi.
“Patjetër që situata në skuadër pas një humbje nuk është më e mira, por ekipi është përgatitur mirë për të qenë gati për takimin e dytë”, tha fillimisht Duro, i cili vijon me analizën e tij. “Humbja patjetër ndikon, pasi është me dy takime.
Jemi në disfavor sa i takon rezultatit. Patjetër që penalltia ishte një moment që mund të na jepte barazimin. Do ishte situatë tjetër, por tani jemi para këtij rezultati dhe duhet të përqendrohemi”, shtoi trajneri i kurbinasve.
Në lidhje me kualifikimit, Duro shtoi: “Patjetër që para ndeshjes së parë kemi qenë favoritë, por pas humbjes nuk jemi favoritë si në fillim. Gjithsesi do të bëjmë çmos që ta përmbysim këtë rezultat”.
Trajneri kryeqytetas foli edhe për duelin e parë në Podgoricë: “Nuk kemi qenë shumë mirë në pjesën e parë, për shumë faktorë. Disa futbollistë, tek të cilët unë kisha shumë besim për gjendjen që kishin, nuk dhanë maksimumin.
Sigurisht kur 2-3 lojtarë kryesore nuk japin rendimentin e tyre 100 për qind, bie niveli i lojës. Megjithatë ishte një ndeshje që jo se na rrezikoi kundërshtari, por nuk i shfrytëzuam momente të veçanta. Kundërshtari e bëri dhe e fitoi ndeshjen”.
Duro e di shumë mirë që për të fituar duhet agresivitet dhe ekuilibër: “Duhet të përgatitemi, Podgorica është një skuadër që luan totalisht në mbrojtje. E bëri edhe ndeshjen e parë dhe jemi përgatitur që të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë herë. Duhet të jemi jashtëzakonisht agresivë në veprimet sulmuese, por gjithmonë duke qenë edhe të kujdesshëm në aspektin mbrojtës”.
Në fund Duro foli edhe për faktin ndeshja luhet në Elbasan: “Do ishte shumë mirë të luanim në Laç, para tifozëve tanë që na kanë munguar. Gjithsesi edhe në Elbasan është një impiant jashtëzakonisht e mirë. Ajo që është e rëndësishme është se luajmë në darkë, në orën 20:00, dhe eliminojmë pak temperaturat e larta”. /abcnews.al