LEZHË- Leonard Manerkolli e nisi rrugëtimin e tij si emigrant në Angli, por atje zbuloi pasionin dhe profesionin që do ta shoqëronte përjetë: berberinë.
Duke ndjekur shembullin e të vëllait, ai u bë berber në Londër, por klima dhe jeta larg vendit të tij nuk e bindën, ndaj pas tre vitesh u kthye në Shqipëri për të ushtruar të njëjtin zanat në Lezhë.
“Anglia më tërhiqte, ndaj në 2022 shkova sërish, edhe pse ilegalisht. Qëndrova dy vite, por tani jam kthyer me mendjen që nuk do të largohem më”
Përvojat mes dy vendeve e kanë bërë të kuptojë ndryshimet mes klientëve.
“Shqiptarët janë më kërkues, kujdesen më shumë për veten dhe e shohin qethjen si një proces estetik. Ndërsa anglezët e kanë thjesht një nevojë praktike”
Edhe pse ishte emigrant i paligjshëm, ai ka pasur klientë të të gjitha kategorive, madje edhe policë britanikë.
“Kurrë nuk kam pasur probleme, sepse isha i përqendruar vetëm te puna ime”
Në Angli fitonte më shumë, por për të kjo nuk mjaftonte.
“Jeta nuk është vetëm para. Dua më shumë se kaq”
Ndërsa në Angli qethnin edhe bimë kanabisi për të stimuluar rritjen, ai nuk u tundua asnjëherë nga ky trend dhe vijoi të qëndronte besnik zanatit të tij.
“Berberi është profesion i vërtetë, gjithmonë ka diçka të re për të mësuar”
Sot, Leonard Manerkolli vijon të qethë në Lezhë, duke e parë këtë zanat si më shumë se një punë – një pasion që e ka rikthyer në vendin e tij për të qëndruar përgjithmonë./abcnews.al