Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka deklaruar se nuk do të zbatojë rekomandimin e Bashkimit Europian për të hequr kufizimet e udhëtimit për më shumë vende jashtë bllokut 27-anëtarësh.
Ai tha se ky qëndrim vjen për shkak të rrezikut të shpërthimeve të rasteve të reja me koronavirus.
“Ne, aktualisht, nuk mund të zbatojmë kërkesën e BE-së për të lejuar hyrjen e qytetarëve jo të BE-së, me përjashtim të Serbisë”, tha Orban në një video-mesazh në Facebook.
Bashkimi Europian, më 30 qershor, ka nxjerrë një listë të vendeve me më pak raste me koronavirus – qytetarët e të cilave lejohen të hyjnë në bllok nga 1 korriku.
Hungaria, vend me gati 10 milionë banorë, ka raportuar rreth 4,100 raste me koronavirus dhe rreth 590 vdekje.
Budapesti ka rihapur kufirin me Serbinë fqinje, e cila ka një popullsi të madhe etnike hungareze që jeton kryesisht përgjatë kufirit me Hungarinë në muajin maj./abcnews.al

