Ky është tenderi 1 mln dollarë që futi në burg ish-drejtorin e RTSH-së

schedule21:41 - 8 Tetor, 2021

schedule 21:41 - 8 Tetor, 2021

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit Ofertave janë arrestuar mbrëmjen e sotme me urdhër të SPAK-ut pas një hetimi të nisur në 2020 për një tender të zhvilluar në vitin 2018 me vlerë 86 908 550  lekë (rreth një milion dollarë) për blerjen e pajisjeve teknike për kanalin “RTSH Agro”. Tenderi ishte anuluar disa herë.

Tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që u arrestuan janë;  A.M., J. T. dhe E.M. Tre zyrtarët nuk janë më pjesë e RTSH-së prej disa muajsh. Po ashtu edhe Thoma Gëllçi, i cili në 21 maj u shkarkua nga detyra e drejtorit të cilën e mori në 6 maj 2016.

Tashmë do të përballet me drejtësinë me akuzat për shpërdorim detyre në këtë tender, ndërsa anëtarët e Vlerësimit të Ofertave për shkelje të barazisë në tendera. Pasi është njohur me kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e ka pranuar duke firmosur urdhrin për arrestimet që janë ekzekutuar nga policia e Tiranës.

Thoma Gëllçi karrierën e ka nisur duke punuar fillimisht si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”,  të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor. Ai është themelues i gazetës “24 orë”. Po ashtu ai ka punuar në struktura të larta të qeverisë Meta në detyrën e drejtorit të Departamentit të Informacionit.

NJOFTIMI I PLOTE I SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar procedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se:

Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal. Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!