Ky është shteti që po trajton psikozat pa ilaçe

schedule11:57 - 19 Shkurt, 2021

schedule 11:57 - 19 Shkurt, 2021

Shumica e njerëzve me psikozë marrin ilaçe të forta për të mbajtur larg iluzionet dhe halucinacionet, por efektet anësore mund të jenë të rënda. Në Norvegji, tani po ofrohet një qasje radikale përmes sistemit kombëtar shëndetësor, për pacientë që duan të jetojnë pa ilaçe.

Trajtimi pa ilaçe është i disponueshëm në disa vende të tjera, por Norvegjia u bë vendi i parë në botë që e vendos atë si një opsion në sistemin shtetëror të kujdesit të shëndetit mendor.

“Për shumicën e pacientëve që kemi, funksionon. Disa prej tyre nuk do të donin që kurrë t’u ktheheshin ilaçeve, të tjerë po, pas disa kohësh dhe disa pacientë donin të shkurtonin dozat”, thotë Dr Magnus Hald, ish-drejtor i shëndetit mendor dhe abuzimit me substancat, në Spitalin Universitar të Norvegjisë veriore, me bazë në Tromso.

Shumë nga pacientët në njësinë në Tromso po heqin ilaçet, gjë që kërkon kohë dhe kujdes.

Kritikët thonë se kurimi pa ilaçe udhëhiqet më shumë nga ideologjia sesa nga provat. Dr Jan Ivar Rossberg, një psikiatër i cili jeton dhe punon në Oslo, e krahason atë me eksperimente të dështuara në vitet 1960 dhe 1970 kur pacientëve u dha liria në komunitetet terapeutike, të inkurajuar për të marrë LSD (ilaç i fuqishëm për halucinacione) dhe për t’u kthyer në fëmijëri. Kjo metodologji u quajt “anti-psikiatri”.

“Historia na ka treguar se kjo qasje nuk funksionon, kështu që kemi ndaluar së përdoruri atë. Nuk kemi qasje trajtimi të treguara të efektshme pa ilaçe,” thotë ai.

Magnus Hald nuk është i bindur nga kjo. Ai do të fillojë një projekt kërkimor për të ndjekur pacientët në vitet pasi ata kanë qenë në njësinë pa ilaçe, në Tromso. Nuk ka pasur vetëvrasje midis pacientëve të tij pa ilaçe, por deri më tani qasjes i mungon një bazë e fortë provash.

Ekzistojnë polemika edhe për mënyrën sesi mund të zhvillohet programi pa ilaçe në të ardhmen.

Deri më tani, pacientët në fazën akute të psikozës nuk mund të referohen në njësitë pa ilaçe. Grupet e përdoruesve shpresojnë ta ndryshojnë atë, duke argumentuar se kjo fazë shpesh kalon vetvetiu nëse njerëzit mund të jenë në një vend të sigurisë dhe mbështetjes, ndërsa ata kalojnë stuhinë.

Hakon Rian Ueland, 54 vjeç, një nga aktivistët që ndihmuan në sjelljen e trajtimit pa ilaçe në Norvegji, beson se kjo bisedë rreth rrezikut fsheh një agjendë për të mbrojtur shoqërinë nga sjellja shpesh sfiduese e njerëzve që kalojnë nëpër psikozë.

Ai thotë se ka ende pengesa burokratike dhe me kosto për njerëzit që duan të kenë akses në shërbimet pa ilaçe.

Psikiatrit dhe pacientët në të gjithë botën po shikojnë se çfarë ndodh në Norvegji, ku qeveria ka ndërmarrë veprime vendimtare për të provuar dhe përmirësuar jetën e njerëzve me psikoza, duke u dhënë atyre më shumë pushtet mbi jetën e tyre. Globalisht, ekziston një rivlerësim i mënyrës së trajtimit të njerëzve me sëmundje mendore dhe një vullnet për të zvogëluar detyrimin.

Trajtimi pa ilaçe mund të jetë vetëm një modë tjetër terapeutike,  ose mund të ketë fuqinë për të ndryshuar psikiatrinë për mirë.

Në Kroaci, mijëra njerëz me sëmundje mendore jetojnë në institucione. Procesi i lëvizjes së pacientëve nga kujdesi rezidencial në komunitet, ka ndodhur dekada më parë në shumë vende evropiane. Por Kroacia i ka rezistuar ndryshimit, përveç në një rajon në lindje të vendit, afër kufirit serb./Përshtati nga BBC, e.b-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!