Mario Trupja, është studenti i dytë shqiptar i diplomuar në Akademia e Marinës Amerikane, një ndër institucionet më prestigjioze që përgatit kuadro-elitë të ushtrisë amerikane.
Ai do të shërbejë me Forcat Detare shqiptare, në kuadër të një programi që mundëson aftësimin e një brezi të ri ushtarakësh në vendet anëtare të NATO-s. Ai është një nga 1052 studentët që përfunduan studimet këtë vit në këtë akademi, pas një pune të vështirë prej katër vjetësh.
“Ka qenë e vështirë. Ka pasur disa faza. Shoku i parë kulturor, ushqimi, shoqëria, gjuha, duhej të mësoheshe në fillim me mënyrën e jetesës. Plus që Akademia kishte traditat e veta me të cilat duhej të mësohesha, trajtimi, orari shumë i ngjeshur… Normalisht, tani është një moment shumë i veçantë, është momenti kulminant i gjithë asaj pune”, tha Mario Trupja.
Shkollimi në Akademinë e Marinës Amerikane konsiston në një stërvitje të fortë fizike dhe një punë akademike rigoroze, në një degë si ajo e inxhinierisë dhe arkitekturës detare, ku ai u diplomua.
“Me trajnimin u mësova, për shkak të mjedisit, por pjesa akademike gjithmonë ofron sfida të madhe. Dega ime inxhinieria dhe arkitekturës detare, ka të bëjë me projektimin e anijeve”, thotë Mario.
Edhe pse vetëm një përqind e studentëve të pranuar në këtë akademi nuk janë nga SHBA, Mario thotë se kurrë nuk është ndier i huaj dhe ka krijuar miq të çmuar.
“Kur vjen ditën e parë, … të gjithë i presin flokët zero, nuk ka dallime dhe kjo është pjesa më e veçantë besoj … Miqësia, është një nga gjërat më të bukura që fitova”, thotë Mario.
Shqipëria po jep kontributin e saj modest në forcat e NATO-s dhe diplomimi i studentëve si Mario në akademitë ushtarake amerikane, – siç thotë “VOA”, – do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura shqiptare drejt standardeve të aleancës, veçanërisht në operacionet paqeruajtëse./abcnews.al