“Ky është çmimi i lirisë”, Thaçi hyn në Gjykatën Speciale, kush është amerikani që e mbron

schedule13:30 - 13 Korrik, 2020

schedule 13:30 - 13 Korrik, 2020

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka arritur në Gjykatën Speciale të Hagës, ku është pritur nga mbështetës dhe simpatizantë që kanë thirrur emrin e tij.

Në një dalje shumë të shkurtër përpara mediave, para se të hynte  për  intervistim, Thaçi tha se kjo është një njollosje e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një lloj propagande politike në momentet kyçe në të cilat gjendet Kosova.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, RTK raporton se Presidenti Thaçi do të mbrohet nga avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, një  ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. Ai ka shërbyer si Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George Ë. Bush në periudhën 2001-2005.

Nga 1996 deri më 1998, Prosper ka shërbyer si prokuror për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar Kriminal të Kombeve të Bashkuara për Ruandën.

Ai ishte caktuar prokuror udhëheqës i rastit të parë gjyqësor ndonjëherë të gjenocidit nën Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të vitit 1948.

Përveç që e fitoi rastin pas 14 muajsh gjyq, Prosper solli risi në ligjin ndërkombëtar, ku e bindi tribunalin që ta njohë dhunimin seksual në kohë konflikti si akt gjenocidal dhe krim kundër njerëzimit.

Prosper u ka raportuar direkt Sekretarëve të Shtetit, Colin Poëell dhe Condolezza Rice, si dhe ka këshilluar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretarin e Mbrojtjes, Prokurorin e Përgjithshëm, Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Drejtorin e CIA-s dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë amerikane.

Aktualisht, ai është partner në kompaninë Arent Fox LLP, me zyra në Los Angeles, ku është marrë me shumë raste të profilit të lartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!