Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Në urdhrin për thirrjen e seancës nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim.
Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, më pas do shprehet komisioni përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.
Duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e
vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar
bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.
Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar. Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.


