Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk arriti të mbajë seancë për anulimin e regjistrimit të popullsisë, për ç‘gjë ishin marrë vesh liderët e dy partive politike maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski.
Dy të fundit kanë thënë se regjistrimi duhet të shtyhet për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.
“Përkundër këmbënguljes sime gjatë ditës së mërkurë për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha partive politike, për arritjen e marrëveshjes dhe mbajtjen e dy seancave, në të cilat do të votoheshin propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe propozim-ligji për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, që skadon sonte [e mërkurë] në ora 24:00, nuk u arrit marrëveshje”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Në mbledhjen me drejtuesit e grupeve parlamentare, siç bëri të ditur Xhaferi, të gjitha partitë, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e seancës.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që janë në opozitë, të martën kanë deklaruar se do të bllokojnë miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit.
Mosmiratimi i ligjit, ndërkohë, ka lënë pezull regjistrimin e popullsisë që duhet të nisë sot, më 1 prill.
Nga Enti Shtetëror i Statistikës kanë fajësuar partitë politike për gjendjen e krijuar, duke thënë se ato, pa konsultim me Entin, kanë nisur procedurën për anulimin e regjistrimit.
Nga Enti kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi nuk do të fillojë, meqë, siç është thënë, “një proces i tillë më tepër do të ishte improvizim sesa regjistrim, duke e ditur se partitë, të enjten apo të premten, do të miratojnë ligjin për shtyrje të regjistrimit”.
Por, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, ka thënë të mërkurën se regjistrimi, sipas ligjit aktual, duhet të fillojë më 1 prill.
Ndryshe nga ai është shprehur kryeministri Zoran Zaev.
Sipas tij, edhe pse më 1 prill ligjërisht fillon regjistrimi, nuk ka logjikë që Enti i Statistikës të fillojë zbatimin.
“Është dërguar një mesazh i qartë se një shumicë më e madhe, madje më e madhe se 2/3 ka qëndrim për shtyrje të regjistrimit për 5-30 shtator. Në këtë rast nuk ka arsyetim logjik që dikush të firmosë për nisjen e regjistrimit… Kemi shumicë të dyfishtë, kemi edhe më shumë se 2/3 e votave, edhe pse ligji miratohet më shumicë të thjeshtë”, ka deklaruar Zaev.
Opozita shqiptare thotë se mbetet në qëndrimin për të parandaluar anulimin e regjistrimit.
“Ne do të përdorim Badenterin (mekanizëm për mbrojtjen e pakicave nga mbivotimi apo votimi i dyfishtë) për një çështje, që të vetëdijesohen deputetët shqiptarë që janë në Kuvend, se nuk guxojmë të lejojmë që dikush ta marrë me tallje procesin e regjistrimit dhe duke kamufluar me sigurinë epidemike shëndetësore, të sjellë vendime politike”, ka deklaruar Skënder Rexhepi, kryetar i grupit parlamentar të opozitës shqiptare.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës. Procesi ka mobilizuar partitë shqiptare që t’i bëjnë thirrje diasporës që të përfshihet në regjistrim, për të rritur edhe më shumë numrin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002. Në bazë të tij, shqiptarët përbejnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.
Maqedonia e Veriut ka bërë një përpjekje për regjistrim të popullsisë në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit.
Edhe atëherë, përplasjet mes partive kishin të bënin me regjistrimin e diasporës./REL