Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban nesër seancën mocionin e mosbesimit të qeverisë

schedule19:22 - 10 Nëntor, 2021

schedule 19:22 - 10 Nëntor, 2021

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të enjten, 11 nëntor, seancë për mocionin e mosbesimit të qeverisë, të iniciuar nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, por edhe lëvizja Besa, e cila aktualisht është pjesë e Qeverisë.

Partitë opozitare, kanë riformuluar të mërkurën listën e nënshkrimeve të mbledhura për mocionin e mosbesimit, duke larguar nënshkrimet e dy deputetëve të partisë e “E Majta” dhe të disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Fillimisht kërkesa për mocion ishte dorëzuar me 61 nënshkrime të deputetëve, por njëri prej tyre, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi tërhoqi nënshkrimin pasi nuk dëshironte që të nënshkruhej në të njëjtën listë ku qëndrojnë edhe emrat e deputetëve të partisë e “E Majta”, e cila nga opozita shqiptare kritikohet për qëndrimet e saj, siç thotë, anti-perëndimore dhe antishqiptare.

VMRP DPMNE-ja beson se mocioni do të votohet me mbi 61 vota.

“E njëjta do të mbetet në procedurë dhe për të do të votohet të enjten. Do të ketë më pak nënshkrime nga ato që ishin në fillim. Por besojmë se kundër Qeverisë nuk do të jenë 61 firma të deputetëve, por do të ketë më shumë se 61. Opozita do të votojë për largimin e kësaj Qeverie”, ka deklaruar deputeti i VMRO DMNE-së, Antonio Milloshoski.

Në bazë të rregullores për punën e Kuvendit, për mocionin votohet në mesnatë ndërsa paraprakisht zhvillohet debat lidhur me kërkesën e opozitës.

Për rrëzimin e Qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve, nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Kërkesa për mocion u paraqit nga opozita pasi kryeministri Zoran Zaev refuzoi të paraqesë dorëheqjen në kuvend, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor.

Organet më të larta të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) vendosën të martën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosën njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Partia e kryeministrit Zaev ka shënuar humbje në zgjedhjet lokale, ndërsa ajo opozitare, VMRO-DPMNE ka fituar shumicën e 80 komunave, sa kanë qenë në garë. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!