Kuvendi “frenon” SPAK për mandat të përhershëm

schedule15:56 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 15:56 - 13 Dhjetor, 2022

Prokurorët e SPAK-ut pritet të marrin një notë refuzuese nga Kuvendi i Shqipërisë, teksa kërkojnë një mandat të përhershëm.

Burime pranë grupit të punës në Kuvend, i thanë ABC se mandati i prokurorëve të posacëm do të vazhdojë të jetë 9 vjet, pasi ndër të tjera, për ta ndryshuar këtë, duhet ndërhyrë në Kushtetutë, dhe kjo nuk konsiderohet koha e duhur as nga mazhoranca, e as nga opozita.

SPAK kërkoi që drejtuesi i saj të kishte një mandat të dytë dhe as kjo nuk u mor në konsideratë.

Grupi i punës thotë se me të njëjtën llogjikë, nuk do të pranohet që këshilltarët ligjore të emërohen gjyqtarë. Edhe pse kjo propozohet si formulë që do të ulte numrin e dosjeve në pritje për gjykim, Kuvendi i qëndron parimit kushtetues se gjyqtarët do të jenë vetëm ata që përfundojnë shkollën e Magjistraturës.

Megjithëatë, ekspertët dhe deputetët PS-PD ju kanë dhënë dritë jeshile disa prej kërkesave që kanë ardhur nga institucionet e reja të drejtësisë.

Si e tillë, pritet:

– Ulja e numrit të viteve të Shkollës së Magjistraturës nga tre në dy vite, duke prodhuar më shpejt gjyqtarë e prokurorë që të mbushin vakuumin e krijuar nga shkarkimet e vettingut.

– Kandidatët për magjistratët t’i nështrohen vetting-ut vetëm në hyrje të Shkollës dhe jo në dalje; si dhe të ndalohen për të qenë pedagogë të magjistratëve të rinj të larguarit nga procesi i vetting-ut, përfshirë të dorëhequrit;

Ndryshimet pritet që të rrisin rolin e Prokurorit të Përgjithshëm në kontrollin e drejtuesve të prokurorisë dhe shtimi i rolit të tij në emërimin e këtyre drejtuesve.

Grupi i punës ka zhvilluar dëgjesa me institucionet dhe propozimet pritet t’i nënshtrohen vendimmarrjes politike të deputetëve. Palët kishin vendosur afat fillestar 15 dhjetorin për ta kaluar paketën në Kuvend, por meqë korrigjimi kërkon 84 vota dhe ujërat në PD janë të turbullta, afati po shtyhet./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!