Kushtëzimi i BE-së për Shqipërinë: Dritë jeshile me 12 kërkesa specifike

schedule11:49 - 23 Mars, 2020

schedule 11:49 - 23 Mars, 2020

Nga Erisa Zykaj

Siç është paralajmëruar nga ABCnews në 3 mars, 27 ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian dhanë dritën jeshile për marrjen e vendimit lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Ky vendim, që pritet të zyrtarizohet nga 27 ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian dhe nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive është i rëndësie shumë të madhe për vendin. Vendimi hap dyert e Bashkimit Europian për procesin e anëtarësimit tê Shqipërisë në BE.

Ai vjen gjashtë vjet pas marrjes së statusit tê vendit kandidat, në 23 qershor të 2014.

Por vendimi nuk është një hapje automatike e negociatave për Shqipërinë. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut për të cilën nuk ka kushtëzim, për Shqipërinë ka një kushtëzim të qartë lidhur me dhënien e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që shënon dhe hapjen zyrtare të negociatave tê anëtarêsimit me BE-në.

Kushtëzimi gjerman mbetet baza për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjermania ka bindur së pari Holandën, duke krijuar aksin gjermano-holandez për kushtëzimin e hapjes zyrtare të negociatave me Shqipërinë.

Kjo ka ndodhur në vijim të vizitës së ministrit të shtetit për Europën të Gjermanisë, Michael Roth në parlamentin holandez dhe shkëmbimit tê ideve me komisionin e çështjeve europiane të këtij Parlamenti. Burimet e shteteve anëtare, kanë konfirmuar për ABCnews, se aksi gjermano-holandez ka dominuar bisedimet midis 27 ambasadorët e përhershëm në Bruksel. Dy kushtet e Bundestagut lidhur 1.

Me ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese dhe 2. aprovimin e reformës zgjedhore  janë tashmë të përforcuara në draft-konkluzionet e 27 ambasadorêve të përhershëm: Në parim, nga dy ato janë kthyer në tre. Ja cilat janë kushtet që vendi duhet tê plotêsojë para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit,:

  1. Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it përmes garantimit të financimit transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
  2. Shqipëria duhet të garantojë vijueshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë opinionet e zbatueshme të Komisionit të Venecias,
  3. Shqipëria dhe të përfundojë vendosjen e strukturave të specializara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Burime zyrtare franceze kanë njoftuar për ABCnews, se Franca ka kërkuar që metodologjia e re të përfshihet në kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut.

Me përmbushjen tre kushteve kryesore për Shqipërinë, Komisioni Europian ftohet të hartojë një kuadër të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe t’ia prezantojë Këshillit të ministrave për fiksimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Por Franca dhe Greqia kanë arritur të imponojnë të tjera kërkesa para se 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian të hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë (mbajtaj e konferencës së pare ndërqeveritare).

Greqia ka insistuar për fqinjësinë e mirë me Shqipërinë dhe veçanërisht respektimin e të drejtave të minoritetit grek, ndërkohë që Franca kërkon vazhdimin e përpjekjeve nga qeveria shqiptare lidhur me uljen e numrit të azilkërkuesve. Disa shtete anëtare kanë kërkuar edhe ndryshimin e ligjit për median. Kjo ka bërë që të ketë edhe 3 kërkesa specifike për të cilat Komisioni Europian duhet të raportojë gjatë prezantimit tê kornizës negociuese me Shqipërinë pas zyrtarizimit tê vendimit në 27 mars. Ato kanë të bëjnë së pari me përforcimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të task forcës për veprimet financiare në kuadrin e bashkëpunimit  për luftën kundër korrupsionit dhe krimit tê organizuar me shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Së dyti, kërkesat kanë të bêjnë me riatdhesimin e azilkerkuesve  që kanë bërë aplikime të pabazuara. Dhe së treti, me ndryshimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Por shtetet anëtare duan në vijim prova bindëse nga qeveria shqiptare lidhur me funksionimin e një drejtêsie të pavarur, forcimin e demokracisë në vend dhe të shtetit ligjor.

Ndaj, para se negociatat të hapen zyrtarisht me Shqipërinë, edhe pas prezantimit të kornizës negociuese nga Komisioni Europian, shtetet anëtare tê BE-së duhet tê sigurohen mbi vazhdimin e zbatimit të 5 prioriteteve kyçe të vendosura nga Këshilli i ministrave i Bashkimit Europian që në 2018.

Këto 5 prioritete kyçe kanë të bëjnë me 1. Reformën në drejtësi. 2. Luftën kundër korrupsionit. 3 Luftën kundër krimit tê organizuar. 4. Reformën e administrates. 5 Tê drejtat e njeriut. Në dokumentin e draft-konkluzioneve të ambasadorêve të përhershëm specifikohet se çfarë do të peshojë për të arritur te hapja e zyrtareve e negociatave me Shqipërinë përveç 3 kushteve kryesore dhe 3 kêrkesave specifike. Qeveria shqiptare duhet të prezantojë një gjurme provash mbi:

  1. Fillimin e hetimit të gjykatësve dhe prokurorëve të akuzuar gjatë procesit të vetingut për sjellje kriminale
  2. Nisjen e procedimeve kundër personave që akuzohen për blerje votash.
  3.  Gjurmë të forta provash në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve dhe përmbylljen e proceseve të para kundër politikanëve dhe zyrtarëve publikë të nivelit të lartë.
  4. Progres të prekshëm në lidhje me reformën në administratën publike,
  5. Zbatimin e reformës për kodin zgjedhor si dhe vendimet përfundimtare për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019,
  6. Progres të mëtejshëm në miratimin e legjislacionit të mbetur zbatues për kuadrin ligjor të vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare.

Ministrat e jashtëm tê BE-së pritet të formalizonë vendimin përmes njê videokonference nesër 24 mars. Ky vendim pritet të zyrtarizohet nga 27 krerët e shteteve të qeverive në 27 mars.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!