Kushtetuesja “vulosi” 30 qershorin, Balla-Metës: Vendimi s’interpretohet, por zbatohet

schedule11:54 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 11:54 - 9 Dhjetor, 2021

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohet, por vetëm zbatohet. Kjo çështje ka marrë fund”. Ky ishte komenti i kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla lidhur me deklaratat e presidentit Ilir Meta i cili tha se vendimi i Kushtetuese për njohur si legjitime zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishte në unison me qeverinë.

Në një prononcim për media Balla tha Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë, vendimi i të cilit nuk mund të interpretohet, nuk mund të apelohet në shkallë të tjera, por vetëm mund të zbatohet.

“Ka një rregull që është e shkruar mbi të gjithë rregullat e tjera, vendimet e gjykatës nuk interpretohen më. Ai është një vendim në të njëjtin nivel me Kushtetutën vetë. Ajo merr vlerën e vetë parashikimeve të kushtetutës. Këtu s’ka më apelin, vendimi i kushtetueses vetëm zbatohet, nuk komentohet. Çdo përpjekje për të  mos njohur vendimet e Kushtetueses s’i bën nder asnjë institucioni, kështu që kjo çështje ka marrë fund këtu. Ky vendim është i rëndësishëm, pati përpjekje për t’u hequr të drejtën qytetarëve për të votuar, në këtë këndvështrim në 30 qershor ishte një moment i rëndësishëm në historinë e re të demokracisë në Shqipëri. Të gjithë këtu jemi të përkohshëm, një dita populli vendos të na sjellë një ditë mund të vendosë të mos na sjellë më, e drejta e popullit duhet të prevalojë”, tha Balla.

Lidhur me këtë vendim Presidenca është shprehur se “Kushtetuesja” ka bërë disa shkelje në këtë proces. U hodhën akuza se Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim sipas presidencës hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve. be.k/abcnews.al