Kushtetuesja rrëzoi policinë për përgjimet, Avokati i Popullit: Fituam

schedule17:56 - 5 Korrik, 2021

schedule 17:56 - 5 Korrik, 2021

Avokati i Popullit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi policinë për ligjin e përgjimeve. Ligji u ankimua nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe tashmë policia nuk ka të drejtë që të bëjë përgjime dhe vëzhgime pa lejen e prokurorisë ose gjykatës. “Fituam në gjykatën Kushtetuese çështjen në mbrojtje të qytetarëve nga përgjimet masive pa autorizim” shkruan institucioni i Avokatit të Popullit.

“Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë sot Avokatit të Popullit, pas një kërkese të këtij të fundit për të shfuqizuar disa nene të ligjit të Policisë së Shtetit, që i jepnin kësaj të fundit kompetencë për të kryer përgjime masive ndaj qytetarëve pa një autorizim nga gjykata. Më 18 shkurt 2021, Avokati i Popullit parashtroi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për ta shqyrtuar e shfuqizuar këtë ligj. Më konkretisht, Avokati i Popullit kërkoi shfuqizimin e nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Shfuqizimi i Nenit 131 të këtij ligji ishte kërkuar pranë Gjykatës Kushtetuese edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë, në mbështetje të kërkesave nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, institucioni i Presidentit të Republikës i cili më herët kishte ushtruar kompetencën e tij me dekret për ta kthyer këtë ligj për shkak se binte ndesh me Kushtetutën, ka kërkuar shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 të këtij ligji.

Avokati i Popullit, si një institucion kushtetues në mbrojtje dhe garantim të të drejtave të njeriut ka argumentuar se në rastin konkret kemi një cenim të së drejtës, të garantuar nga neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e për rrjedhojë edhe cënim të të drejtave dhe garancive kushtetuese për shtetasit shqiptarë.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka pohuar në mënyrë të përsëritur se çdo ndërhyrje nga një autoritet publik në të drejtën e një individi për të respektuar jetën private dhe korrespondencën duhet të jetë “në përputhje me ligjin”. Kjo shprehje jo vetëm që kërkon pajtueshmëri me ligjin e brendshëm, por gjithashtu lidhet me cilësinë e këtij ligji, duke kërkuar që ajo të jetë në përputhje me shtetin e së drejtës.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i japë të drejtë Avokatit të Popullit dhe t’i shfuqizojë e pezullojë nenet e cituara në shkelje të Kushtetutës. Avokati i Popullit në Shqipëri do të vazhdojë të shërbejë si një garant dhe kujdestar i të drejtave të njeriut në vendin tonë duke luftuar me çdo mjet e instrument ligjor që këto të drejta të mos cënohen në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Fitorja në betejën e fundit ligjore është vetëm një provë e kësaj gatishmërie” mbyllet postimi i Avokatit të Popullit.

Por cfarë ndodhi konkretisht?

Gjykata Kushtetuese rrëzoi këtë të hënë një tjetër ligj të miratuar në Kuvend nga mazhoranca socialiste.

Ajo i dha të drejtë Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët ngritën alarmin se kompetencat e reja që kishte marrë policia, cenonin të drejtat themelore të qytetarëve dhe ju cenohej pavarësia.

Ligji i ndryshuar vjet nga parlamenti, lejonte policinë që të bënte përgjime dhe vëzhgime të personave të dyshuar, pa qenë nevoja të merrnin leje nga prokuroria apo nga gjykata. Kjo u pa si abuzive nga shumë organizata dhe e tillë konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila njofton se:

“Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit “Për Policinë e Shtetit”,  vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike. Për këto arsye Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi nenin 6 dhe nenin 131 të ligjit për policinë si dhe urdhëron që këto nene të mos zbatohen, derisa të dalë vendimi i plotë dhe i argumentuar i gjykatës”.

Brenda pak javësh kjo është hera e 4-t që Kushtetuesja jep një vendim kundër qeverisë. I pari ishte ai kur i jepte të drejtë Ilir Metës në raport me dekretimin e ministrave, duke vijuar me rrëzimin e formulës me herës për zgjedhjen e deputetëve dhe  e ndjekur nga shpallja antikushtetues e ligjit për teatrin.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!