Shkup, shtyhet ligji për gjuhët/ Kushtetuesja shtyn seancën, gjyqtarët shqiptarë bojkotuan

schedule11:43 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 11:43 - 11 Dhjetor, 2024

Gjykata Kushtetuese në Shkup e ka shtyrë seancën për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që parashikon përdorim të zgjeruar të shqipes në republikën e Maqedonisë së Veriut për një datë të pacaktuar.

Këtë mesjavë kjo gjykatë vendosi të ketë një seancë përgatitore, ku ekspertë profesorë, por edhe parti politike mund të marrin pjesë në debat, ku secili do të mund të paraqesë argumentet e tij në lidhje me Ligjin për Gjuhët. Propozimi kaloi me 5 vota pro dhe vetëm një kundër.

Kundër këtij propozimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska e cila që sot njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën përgatitore. Sipas saj, një gjë e tillë është e panevojshme duke pasur parasysh faktin se “kemi një vendim të Komisionit të Venecias”.

Ndërkohë gjykatësit që pranuan propozimin thanë se qëllimi është që të tregohet transparencë. Lidhur me këtë zhvillim kanë reaguar edhe parti politike në vend.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti i cili ka qëndruar para Gjykatës Kushtetuese në Shkup gjatë mbajtjes së kësaj seance ka deklaruar se gjykatësit nuk duhet të marrin vendime të njëanshme. Ai ka kërkuar që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në Maqedoninë e Veriut.

“Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, ka thënë Ahmeti.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, i miratuar ne 2018-tën, i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë në total. Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj edhe ne Kohen e miratimit te tij pasi nder ndryshimet kryesore ai parashikonte perdorimin e shqipes edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore.

Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN. Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese qe prej pesë vitesh, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë./abcnews.al