Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ishte pjesë e “Takimit të Mësuesve në Diasporë”, takim në të cilin u bashkuan gjithashtu Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës Arbërie Nagavci.
Po ashtu të pranishëm ishin mësues të shumtë nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit dhe të punëve të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Fokusi i këtij takimi ishte ruajtja e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar tek diaspora, si dhe sfidat e nevojat e ndryshme që paraqiten për arsimin në diasporë.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kush i e konsideroi diasporën një aset dhe gjithmonë e gatshme për të kontribuar në fushën e arsimit:
“Diaspora është një aset, gjithmonë të gatshëm për të kontribuar në fushën e arsimit. Ruajtja e gjuhës shqipe, ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e zakoneve janë në qendër të vëmendjes sonë, sepse identiteti kombëtar që ruan diaspora është qëllim i madh i yni. Ne e shohim diasporën shqiptare si një vlerë të shtuar kombëtare, fëmijët jashtë trojeve shqiptare si një pasuri të madhe, ndërsa mësuesit kanë një vlerë të çmuar për sa i përket mbajtjes gjallë të gjuhës dhe traditave shqiptare”, tha Kushi.
Më tej ajo u shpreh: “ne do të vijojmë të punojmë dhe bashkëpunojmë me përkushtim maksimal, për të qenë sa më efikas në punën tonë në fushën e arsimimit për brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve”./abcnews.al/