Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ishte sot pjesë e një takimi të organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë.
Në qendër të këtij takimi ishte zhvillimi i mëtejshëm i metodës “Montessori” në mësimdhënie, e cila ka të bëjë me të kuptuarit e nevojave zhvillimore të fëmijës që synojnë nxitjen e pavarësisë, vetë-disiplinimin, vetë-motivimin, përqendrimin, vetëvlerësimin, besimin, dashurinë për nxënien dhe respektin për të gjitha format e jetës.
“Falënderoj organizatorët për ftesën. Në mënyrë të veçantë ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ambasadorin, për bashkëpunimin shumë të ngushtë që kemi patur kohët e fundit. Vetëm në muajt e fundit ne kemi arritur që të nënshkruajmë dy marrëveshje bashkëpunimi me ambasadën italiane”- u shpreh ministrja në fjalën e saj.
Kushi shtoi se e konsideron metodën “Montessori” një vlerë të shtuar në sistemin arsimor, nisur nga fakti se bazohet në vetë-menaxhim, në rritjen e kompetencave të nxënësve në ndërveprimin dhe aspekte të tjera të cilat rrisin besimin e fëmijëve për të përballuar me sukses sfidat që sot kërkohen nga tregu i punës dhe shoqëria.
Sipas ministres, tradita italiane në arsim ka edhe një markë tashmë e mirënjohur ndërkombëtare, Metoda “Montessori” e cila është shtrirë prej kohësh në të gjithë globin.
Marrëveshja e parë është në lidhje me programin “Iliria”, i cili nxit mësimdhënien në gjuhën italiane si gjuhë e parë e huaj në disa shkolla, dhe marrëveshja e dytë lidhet me nxitjen e kulturës së ligjshmërisë dhe anti-korrupsionit që në moshë të hershme tek nxënësit.