Ministrja e Arsimit, Evis Kushi këtë të mërkurë pas mbledhjes së këshillit të ministrave është shprehur se një ndër vendimet e marra në këtë mbledhje është zgjidhja e problematikës për transportin e nxënësve dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar.
Kushi ka deklaruar se tashmë do të ketë një bonus për biletën e transportit që do u vijë në ndihmë të gjithë nxënësve sidomos në zonat e largëta.
Ajo ka theksuar se tashmë përveç nxënësve dhe mësuesve nga ky bonus do të përfitojnë dhe oficerët e sigurisë dhe punonjësit sociale në shkolla.
“Sot kemi miratuar vendimin që synojmë të minimizojmë problematikat që lidhen me transportin e nxënësve dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar. Lajmi i parë i mirë është bonus për 50% mbi çmimin e indeksuar të biletës për nxënësit që do të sjellë përmirësim të transportit për zonat e largëta.
Lajmi i dytë i mirë është dhe për punonjësit pasi kem i zgjeruar gamën e përfituesve, pasi deri më tani vetëm mësuesit dhe drejtorët, përfitojnë tashmë edhe oficerët dhe punonjësit social. Ndryshimet që sjell VKM-ja për nxënësit do të na ndihmojë për të reduktuar numrin e nxënësve që mësojnë për klasat kolektive”, ka thënë ajo./abcnews.al