Ministrja e Arsimit Evis Kushi vizitoi sot një shkollë në Durrës e cila ka hapur dyert për të pritur nxënësit për procesin mësimor plotësues që të vijojë në tre javët e para të këtij muaji.
Kushi tha se në udhëzuesin e publikuar një ditë më parë përcaktohen rregullat për zhvillimin e procesit mësimor duke bërë apel që të respektohen masat anti-COVID.
“Aty janë të përcaktuara qartë rregullat dhe mënyra si duhet zhvilluar procesi mësimor. Mos harroni rregullat anti-COVID. E di që nuk është e lehtë të mbash maska por nuk duhet ta përhapim virusin”, u shpreh ajo.
Kushi theksoi se duhet shfrytëzuar kjo periudhë për të përgatitur nxënësit për vitin e ri shkollor, duke iu kujtuar mësuesve që duhet të bëjnë vaksinën brenda muajit shtator.
“Duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të përgatitur më mirë nxënësit dhe të fillojmë vitin e ri me njohuri të plota dhe të gjithë gati. Akoma e kemi virusin mes nesh. Nëse ka mbetur akoma ndonjë mësuese e pavaksinuar shfrytëzojeni këtë muaj sepse është për të mirën e të gjithëve”, u shpreh Kushi. m.v/abcnews.al