Presidentja Vjosa Osmani prej kohësh kishte pasur përplasje me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, të cilën e shkarkoi sot nga detyra. Në janar, ajo kishte paralajmëruar masa ndaj institucionit që organizon zgjedhjet, ndërsa u raportua se edhe si ushtruese e detyrës së presidentes atë kohë, mund ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së.
Që para zgjedhjeve të fundit, Osmanit s’i kishte pëlqyer jo vetëm moscertifikimi i listës së kandidatëve të LVV-së për deputetë në zgjedhje, të cilët ishin dënuar në 3 vitet e fundit, përfshirë Albin Kurtin. Osmani ishte irrituar nga deklaratat e Dakës që para se ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në emër të mbrojtjes së integritetit të KQZ-së, që nga janari u paralajmërua mundësia që Vjosa Osmani ta shkarkonte kryetaren e këtij organi, Valdete Dakën, të cilën e ka edhe kushërirë.
Me një adresim të pazakontë, Osmani kishte paralajmëruar masa, ndërsa ishte raportuar se ligji për zgjedhjet e përgjithshme i jep asaj të drejtë që ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së.
“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, shprehej Osmani.
Mbledhjen e gjatë të KQZ-së ku në fund ishte vendosur që të mos certifikohej lista e LVV-së ku bënte pjesë edhe vetë ajo, Osmani e cilësoi të pahijshme.
“Ajo çfarë kemi parë dje në KQZ ka qene paprecedentë, e pahijshme dhe e papranueshme për një institucion që duhet të bëj çmos që ta mbrojë integritetin. Në transmetime të drejtpërdrejte u bë presion marramendës ndaj drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekte Politike”, tha Osmani. m.v/abcnews.al