Presidenti Donald Trump firmosi të hënën urdhrin, që të zgjasë ndalimin e lëshimit të kartave jeshile jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara deri në fund të vitit. Pjesë e këtij vendimi është edhe zgjatja e ndalimit të lëshimit të vizave të përkohshme të punës, përfshirë ato që përdoren shumë nga kompanitë e teknologjisë dhe korporatat shumëkombëshe.
Kush preket?
Urdhri ndalon vizat H-1B, të cilat përdoren nga kompani të mëdha amerikane të teknologjisë, vizat H-2B për punëtorët sezonalë jo të sektorit bujqësor, vizat J-1 për shkëmbim të studentëve dhe vizat L-1 për menaxherët e korporatat shumëkombëshe. Preken gjithashtu bashkëshortët, apo fëmijët e mitur, të atyre personave që mbajnë këto lloje vizash.
Kush nuk preket?
Urdhri nuk i përfshin ata që tashmë kanë viza të vlefshme ose karta jeshile, qoftë brenda ose jashtë vendit; ose ata që kanë aplikuar tashmë për karta jeshile ose viza të përkohshme nga brenda SHBA-ve. Të tjerët të përjashtuar sipas urdhrit, janë bashkëshortë ose fëmijë të shtetasve amerikanë, ata që ofrojnë shërbime që konsiderohen thelbësore për furnizimin me ushqim amerikan, ose nëse dikush është me interes kombëtar siç përcaktohet nga Departamenti i Shtetit ose Departamenti i Sigurisë.
Today’s Trump proclamation aimed at reducing temporary workers & extending greencard ban may have little immediate practical effect as State Department routine visa services remain suspended as a result of #COVID19
— MigrationPolicy Inst (@MigrationPolicy) June 22, 2020
Cili është arsyetimi i administratës për urdhrin?
Presidenti Trump tha se urdhri synon të mbrojë vendet e punës për amerikanët, në një kohë kur papunësia është e lartë për shkak të pandemisë COVID-19. Urdhri i ri erdhi dy muaj pasi presidenti njoftoi një pezullim fillestar të kartave jeshile (për 60 ditë), të cilat sigurojnë qëndrim të përhershëm ligjor, duke argumentuar si një hap të nevojshëm për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike të Amerikës.
Kush e mirëpriti vendimin?
Reagimi ka qenë kryesisht negativ në Kapitol Hill. Por senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz e cilësoi urdhrin “të rëndësishëm”. “Ne duhet të përqëndrohemi në ruajtjen e jetës amerikane dhe të punëve për amerikanët”, tha ai me anë të një deklarate.
“NumbersUSA”, një organizatë që mbron politikat kufizuese të imigracionit, tha se e duartrokiti vendimin e presidentit.
Kush e kundërshton urdhërin?
Urdhri i imigracionit ka ngjallur kundërshtim në të dy dhomat e Kongresit. Senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, zakonisht një mbrojtës i vendosur i presidentit Trump, ka postuar në Twitter: “Emigracioni i ligjshëm është pozitiv për ekonominë amerikane” dhe se urdhri “do të ketë një efekt ngrirës në rimëkëmbjen tonë ekonomike”.
Në një deklaratë, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, Jerrold Nadler, një demokrat nga Nju Jorku, akuzoi presidentin për përpjekjen “për të shpërqendruar publikun amerikan nga dështimi i tij për të luftuar COVID-19”. Një thirrje e fortë kundërshtuese ka dalë gjithashtu nga organizatat e të drejtave të emigrantëve dhe grupet e tjera të mbrojtjes së të drejtave.
Çfarë po thotë komuniteti i biznesit?
Kreu i Dhomës së Tregtisë së SHBA-ve, Tom Donohue, tha se kufizimi i emigracionit do ta lërë vendin pas ekonomikisht. “Ndryshimet kufizuese në sistemin e emigracionit të kombit tonë do të nxisin investimet dhe aktivitetin ekonomik jashtë vendit, rritjen e ngadaltë dhe uljen e krijimit të vendeve të punës”, tha Donohue.
Kompanitë e industrisë së teknologjisë gjithashtu e kundërshtuan fort. “Kjo shpallje cënon pasurinë më të madhe ekonomike të Amerikës: diversitetin e saj. Njerëz nga e gjithë bota vijnë këtu për t’u bashkuar me forcën tonë të punës, paguajnë taksat dhe kontribuojnë në konkurrencën tonë globale në skenën botërore,” tha një zëdhënës i kompanisë Twitter.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Google, Sundar Pichai tha se nga emigracioni përfiton dhe Google, por edhe ekonomia e Amerikës më gjerësisht. “Emigracioni ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në suksesin ekonomik të Amerikës, duke e bërë atë një udhëheqëse globale në teknologji, dhe gjithashtu tek Google kompania që është sot,” shkroi Pichai, duke shtuar se ishte “zhgënjyer” nga urdhëri, por, “ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me emigrantët dhe të punojmë për të zgjeruar mundësitë për të gjithë”.
Cilat janë analizat e studiuesve dhe ekspertëve juridikë mbi rezultatin e urdhrit?
Alex Nowrasteh, Drejtori i Institutit Cato për Studimet e Emigracionit, tha se zvogëlimi i numrit të emigrantëve nën krizën aktuale shëndetësore do të “përkeqësojë” rënien e ekonomisë si pasojë e COVID-19 dhe do të vonojë rimëkëmbjen e saj përfundimtare.
“Gjatë pandemisë, punëtorët H-1B dhe emigrantë të tjerë të aftë që punojnë në sektorin e teknologjisë kanë bërë të mundur që miliona amerikanë të mbajnë punët e tyre duke punuar në distancë. Ndërprerja e këtij fluksi të punëtorëve të aftë në Shtetet e Bashkuara, në kohën kur neve na duhen ata më shumë, vetëm do të dëmtojë njerëzit punëtorë që përpiqen të mbijetojnë nën hijen e kësaj pandemie shkatërruese”, ka shkruar Noërasteh.
Analisti argumentoi se nëse administrata Trump dëshiron të krijojë një sistem emigracioni të bazuar në merita që i japin përparësi emigrantëve të arsimuar dhe të aftë, një pezullim i programit të vizave H-1B nuk e avancon “emigrimin me bazë merite”.
Si rezultat i kufizimeve të reja, Instituti i Politikave të Emigracionit (MPI) vlerësoi se rreth 167,000 punëtorë të përkohshëm do të mbahen jashtë Shteteve të Bashkuara.
Rosanna Berardi, avokate e emigracionit nga Bufalo, Nju Jork, e cila ka shumë nga klientët e saj në kategorinë e vizave H-1B, tha se megjithëse ekziston një “gamë e gjerë” përjashtimesh, veçanërisht me punonjësit e sistemit shëndetësor, urdhëri nuk jep pikërisht atë që premton. “Mesatarisht njerëzit në Amerikë mund të mendojnë se Presidenti Trump po kursen punë për amerikanët, por në të vërtetë nuk shtohen. … Nëse jeni jashtë ndonjë prej atyre kategorive, prapë mund të vini në Shtetet e Bashkuara. Dhe kështu prapë janë shumë njerëz. Kategoritë e emigracionit shkojnë nga shkronja A deri tek shkronja U. Këtu janë vetëm tre nga ato 20, ose më shumë kategori”, shtoi ajo. /VOA