Kush mund ta pasojё Angela Merkelin?

schedule09:30 - 30 Tetor, 2018

schedule 09:30 - 30 Tetor, 2018

Pas deklaratës së kancelares gjermane Merkel se hiqte dorë nga drejtimi i partisë dhe se nuk do të rikandidonte më gara brenda radhëve të kristiandemokratëve gjermanë mbetet e hapur.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi një ditë më parë se  nuk do të rikandidojë për kryetare partie në kongresin e kristiandemokratëve. Por kush do të pasojë në këtë post. Në analizën e saj Deutsche Welle shkruan se disa kandidatë konsiderohen si favoritë, ndër ta figura të njohura. Por veçanërisht njëri nga kandidatët konsiderohet suprizues.

Deri tani Merkel ka theksuar, se posti i kancelares me atë të kryetarit të partisë janë të pandashëm. Prej 18 vjetësh Merkel është në krye të CDU-së, ndërsa ka 13 vjet si kancelare e Gjermanisë. Humbjet e thella të partisë në zgjedhjet për parlamentin e landit në Hesen, duket se tashmë e kanë bindur Merkelin, që heqja dorë prej pushtetit në CDU mund të ndihmojë në stabilizimin ose madje shpëtimin e qeverisë.

Një nga emrat e parë që konfirmoi pjesëmarrjen në garë është sekretarja e përgjithshme e CDU-së Kramp-Karrenbauer. Ajo konsiderohet si e besuara e kancelares. Kancelarja Merkel do të ishte më se e kënaqur në rast se kryetare e CDU-së do të jetë Kramp-Karrenbauer pasi puna mes tyre funksionon mjaft mirë.

Një tjetër emër, Jens Spahn, aktualisht ministër i Shëndetësisë në qeverinë Merkel, deklaroi gjithashtu, se do të kandidojë. 38-vjeçari konsiderohet prej kohësh si kritik i Merkelit dhe si zëdhënës për të gjithë ata në parti, që mendojnë se nën Merkelin CDU-ja ka marrë një profil socialdemokrat.

Merkel duhet të ketë përjetuar si surprizë kandidaturën e Friedrich Merz. 62-vjeçari jurist dhe ekspert financash, Friedrich Merz para shumë vitesh u shkëput nga Gjermania dhe konsiderohej si kritik i mprehtë i Merkelit. Merz në vitet 2000 deri më 2002 kryesonte grupin parlamentar të CDU-së dhe CSU-së derisa Merkel e spostoi atë nga ky post. Shumë vëzhgues e konsiderojnë Merzin si figurën drejtuese të konservatorëve në parti.

Këta janë tre ndër favoritët që e kanë shprehur hapur, se duan të kandidojnë për të pasuar kancelaren Merkel në postin e kryetares së partisë. Disa analistë konsiderojnë edhe Volfgang Shäuble, një ndër figurat më të qëndrueshme të CDU-së si kandidatin e duhur. Schäuble, që është aktualisht president i Bundestagut, ka qenë për shumë vite ministër i Financave dhe i Brendshëm. Zgjedhja e tij kryetar partie do të ishte një sinjal për vazhdimësinë në CDU më shumë se sa sinjal për fillim të ri. Nëse ai do të kandidojë, kjo nuk është ende e qartë. Se edhe sa kandidatë mund të paraqiten nga rajonet deri në kongresin e patisë, kjo ende nuk është e qartë. Mbeten edhe gjashtë javë deri atëherë e me siguri që do të spekulohet edhe për shumë emra të tjerë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!