Kush janë salafistët? Talebanët i kanë vendosur në shënjestër

schedule14:25 - 26 Tetor, 2021

schedule 14:25 - 26 Tetor, 2021

Hakimullahu, një banor i provincës lindore të Afganistanit, Nangarhar, thotë se vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe diskriminimit për shkak të besimit të tij.

Si anëtar i komunitetit të vogël salafist të Afganistanit – një sekt ultraradikal i Islamit sunit – ai thotë se është shpesh shënjestër e talibanëve.

Këta të fundit – grup militant islamik – kanë marrë kontrollin e Afganistanit në muajin gusht.

Shumë luftëtarë talibanë janë ndjekës të shkollës hanafi të Islamit – një konfesion rival sunit. Selafistët, të njohur edhe si vehabi, i shohin shumë degë të tjera të besimit si heretike.

Që nga marrja e pushtetit, militantët talibanë kanë ndërmarrë veprime vdekjeprurëse ndaj salafistëve.

Salafistët i akuzojnë ata për arrestim dhe vrasje të anëtarëve të komunitetit. Ata po ashtu thonë se talibanët kanë bastisur dhe mbyllur dhjetëra xhami dhe medrese të tyre.

Goditja e salafistëve nga talibanët përkon me luftën e këtyre të fundit kundër militantëve rivalë të Shtetit Islamik-Khorasan (IS-K) – shumë prej të cilëve janë salafistë.

Në Afganistan besohet se jetojnë qindra mijëra salafistë, të përqendruar kryesisht në provincat lindore: Nangarhar, Kunar dhe Nuristan.

Salafistët si Hakimullahu thonë se pjesëtarët civilë të komunitetit ndodhen në mes të një konflikti të ashpër midis grupeve rivale në Afganistanin lindor, i cili është bastion i IS-K.

“Qëkur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë përshkallëzuar luftën kundër Daesh-it, ata i kanë detyruar njerëzit që mbajnë kapele të thurura dhe mjekër të gjatë, të dalin nga makinat e tyre dhe i kanë keqtrajtuar vetëm për faktin që janë salafistë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Hakimullah, duke përdorur akronimin arab për IS-K.

Shumë salafistë veshin kufis – kapele të bardha të thurura – dhe mbajnë mjekra të gjata.

Hakimullah thotë se shumë nga miqtë e tij salafistë janë arrestuar ose vrarë nga talibanët në Nangarhar.

Nangarhari është epiqendër e përleshjeve midis talibanëve dhe militantëve të IS-K.

“Talibanët e shohin çdo salafist si pjesëtar të Daesh-it, gjë që është e padrejtë, sepse jo të gjithë ata që e ndjekin besimin hanafi janë pjesëtarë të talibanëve”, thotë Hakimullahu.

Në shtator, kleriku i lartë salafist në Afganistan, Sheikh Abu Obaidullah Mutawakil, është rrëmbyer dhe më pas është gjetur i vdekur.

Talibanët, që janë fajësuar nga shumë salafistë për vrasjen, kanë mohuar se janë përgjegjës.

Vëzhguesit thonë se goditja vdekjeprurëse e salafistëve nga talibanët mund të përdoret nga IS-K si mjet rekrutimi.

“Nga e gjithë kjo do të përfitojë Daesh-i, sepse ai do të tërheqë më shumë rekrutë për kauzën e tij dhe do të fitojë mbështetje më të gjerë [në mesin e salafistëve]”, thotë Abdul Sayed, një studiues me bazë në Suedi, i cili përcjell grupet militante në rajon.

Talibanët kanë shpallur amnisti të përgjithshme kur kanë marrë kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Por, grupet e të drejtave të njeriut i akuzojnë talibanët për ekzekutimin, torturimin dhe arrestimin e rivalëve të tyre, përfshirë anëtarët e ish-forcave të armatosura të Afganistanit.

Talibanët mohojnë se kanë në shënjestër komunitetin salafist. Por, retorika e tyre kundër salafistëve është ashpërsuar muajve të fundit.

Zyrtarët talibanë u janë referuar salafistëve si kharijitë – anëtarë të një sekti të hershëm radikal islamik, që konsiderohen gjerësisht si tradhtarë.

“Anëtarëve të ish-ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe kharijitëve u është siguruar edhe një herë amnisti e përgjithshme”, ka shkruar në Twitter qendra mediatike talibane në Nangarhar, më 20 tetor.

Sekti salafist është një lëvizje e rreptë rilindëse islamike. Ai është shfaqur fillimisht në shekullin 18, në Gadishullin Arabik. Është lidhur me IS-K, me rivalin e tij, Al-Kaidën, dhe me grupe të tjera militante transnacionale.

Salafizmi është shfaqur në Afganistan gjatë pushtimit sovjetik, kur salafistët arabë kanë arritur në Afganistan për të luftuar përkrah muxhahedinëve – fraksioneve islamiste që kanë luftuar kundër forcave sovjetike.

Që atëherë, shkollat dhe xhamitë salafiste janë ndërtuar me fonde nga shtetet e pasura arabe.

Shkolla hanafi e Islamit sunit dominon Afganistanin dhe më gjerë në rajonin e Azisë Jugore dhe Azisë Qendrore.

Ajo ndiqet nga rreth një e treta e myslimanëve të botës, duke e bërë atë shkollën me më së shumti ndjekës.

Shumë udhëheqës talibanë janë ndjekës të Lëvizjes Deobandi të Indisë Koloniale Britanike të shekullit 19 – një lloj i vijës së ashpër të Islamit hanafi.

Qëkur janë shfaqur për herë të parë në Pakistanin fqinj – në fillim të viteve 1990 – talibanët janë bashkuar me Al-Kaidën, një rrjet salafist, dhe kanë tërhequr grupe më të vogla salafiste.

Por, talibanët e kanë kundërshtuar IS-K që nga shfaqja e tij në vitin 2015, kur edhe kanë shpërthyer luftërat në terren midis dy grupeve.

Prejse talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit nga talibanët, IS-K ka shtuar sulmet kundër talibanëve dhe civilëve afganë, veçanërisht atyre të pakicës shiite. IS-K i konsideron myslimanët shiitë si femohues që duhet të vriten.

Më 8 tetor, një sulmues vetëvrasës i IS-K ka hedhur veten në erë brenda një xhamie shiite në provincën Kunduz, duke vrarë më shumë se 70 njerëz dhe duke plagosur mbi 140 të tjerë.

Ky ka qenë sulmi më vdekjeprurës që nga tërheqja e trupave ndërkombëtare nga Afganistani më 31 gusht.

Ekspertët thonë se IS-K po përpiqet të rekrutojë luftëtarë të rinj dhe të minojë pushtetin e talibanëve.

“IS-K ka kryer dhjetëra sulme, ndërsa hakmarrjet e mëvonshme të talibanëve kanë pasur në shënjestër komunitetet lokale salafiste”, thotë Andrew Mines, studiues në Universitetin George Washington në Uashington.

“Kjo është një popullsi historikisht e margjinalizuar nga talibanët”.

“IS-K do të përpiqet t’i bindë këto komunitete se ato nuk mund t’iu besojnë talibanëve dhe se bashkimi me IS-K është opsioni i tyre i vetëm”, thotë Mines.

Sipas vëzhguesve, rivaliteti në rritje i talibanëve me IS-K sinjalizon fillimin e një faze tjetër të luftës në Afganistan.

Është një zhvillim për të cilin shumë afganë druajnë se do të provokojë gjakderdhje të mëtejshme.

Alam, banor i Xhalalabadit – kryeqytet i i provincës Nangarhar – thotë se fqinji i tij është rrëmbyer disa ditë më parë. Fqinji, një burrë i moshuar, ka ligjëruar në një shkollë lokale salafiste.

“Vendndodhja e tij nuk dihet. Familja e tij nuk e di nëse ai është gjallë apo i vdekur”, thotë Alam, i cili dha vetëm emrin, nga frika e hakmarrjes.

“Jo të gjithë salafistët janë anëtarë të Daesh-it. Përndjekja e tyre duhet të ndalet”, thotë ai./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!