Nga Andrea Walton “Il Giornale”
Fushata e vaksinimit kundër Covid-19, konsiderohet me të drejtë si mjeti më efektiv për të dalë nga pandemia. Por ka nga ata që nuk janë të bindur me këtë tezë, dhe e refuzojnë vaksinimin. Disa prej tyre besojnë se vaksina është e aftë të shkaktojë në një të ardhme të largët efekte anësore serioze, të cilat nuk janë zbuluar nga testet e vazhdueshme, ndaj kanë shumë frikë për shëndetin e tyre.
Ka të tjerë që besojnë se pandemia aktuale është një shpikje gjigante, dhe rezultat i një skeme të hartuar nga të plotfuqishmit që drejtojnë sot botën dhe se vetë Covid-19 nuk ekziston.
Pastaj janë edhe ata që për arsye moshe e nënvlerësojnë rrezikun e sëmundjes,por gjithashtu edhe ata që dëshirojnë të vaksinohen, por preferojnë të presin duke i lënë të tjerët të vaksinohen përpara tyre, ndërsa ata vetë do të vendosin pak më vonë.
Me pak fjalë kjo është “galaktika” e larmishme e kundërshtarëve të vaksinave. Nuk është një grupim kompakt personazhesh të çuditshëm. Përkundrazi, në të bëjnë pjesë një mori njerëzish të lidhur me teoritë e komploteve dhe ideve radikale, që janë pak a shumë të bindur se kanë të drejtë në atë që pretendojnë.
Francë:2 në 10 qytetarë janë kundërshtarë të vaksinave
Sipas një sondazhi të kryer nga instituti i sondazheve “Opinion Way” në fundin e muajit maj, 65 për qind e francezëve ishin vaksinuar ose kanë ndërmend ta bëjnë këtë në të ardhmen. 13 për qind ishin të pavendosur, ndërsa 20 për qind treguan haptazi armiqësi ndaj vaksinës anti-Covid.
Të dhënat e mbledhura përputhen me parashikimin e bërë nga Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran, sipas të cilit në fund 80 për qind e popullsisë do të zgjedhë të vaksinohet. Siç raportohet nga portali Thelocal.fr duke iu referuar sondazheve të mëparshme, Franca ka qenë një komb skeptik por jo kundër vaksinave, me shumë njerëz që ende nuk kanë vendosur nëse do të vaksinohen apo jo, dhe se do të donin të shihnin njëherë cilat janë efektet anësore.
Dhe teoria duket se i ka qëndruar provës së fakteve. Zgjedhjet rajonale të mbajtura në datat 20 dhe 27 qershor, u shoqëruan me pjesëmarrjen e një serie kandidatësh që janë kundërshtarë publikë të vaksinave,apo që refuzojnë mbajtjen e maskave, si dhe teoricienë konspirativ që e përdorën krizën shëndetësore për të hyrë në politikë. Por rezultatet e tyre ishin zhgënjyese, dhe asnjëri nuk arriti të merrte me shumë se 1 për qind të votave.
Gjermani:Ngritja e teoricienëve të konspiracionit
Megjithatë, Gjermania ka një lëvizje kundër vaksinave që gëzon një “shëndet” të shkëlqyer, dhe që përfshin teoricienët e e konspiracioneve, dhe spiritualistët e së majtës dhe të së djathtës ekstreme.
Aleanca që është kundër bllokimeve, në të cilën morën pjesë qytetarë të zakonshëm dhe ekstremistë janë të grupuar nën organizatën Querdenken, beson se reagimi ndaj pandemisë është pjesë e një komploti të madh, dhe të paktën në një rast deri në 40 mijë njerëz protestuan kundër masave qeveritare të shëndetit publik, si mbyllja e dyqaneve apo kërkesa për të mbajtur maska.
Në fund të dhjetorit 2020, kur u shpërndanë dozat e para të vaksinës Pfizer, u postuan në mediat sociale një seri postimesh në të cilat pretendohej në mënyrë të gabuar se vaksina shkakton infertilitet. Autorët e tyre ishin skeptikët mbi pandeminë e koronavirusit.
Në disa raste, sipas “The Atlantic”, kundërshtarët e vaksinave kanë lidhje me lëvizjet antisemite. Bëhet fjalë për pozicionet e disa pakicave brenda shoqërisë, por gjithsesi jo të papërfillshme. Një e treta e gjermanëve i beson narrativave të konspiracionit, dhe sipas Kongresit Botëror Hebre, 27 për qind e tyre kanë bindje anti-semitike, dhe kjo përqindje
po rritet.
Rumani dhe Bullgari:Skepticizëm në rritje ndaj vaksinave
Ndër vendet me normat më të ulëta të vaksinimi në mesin e evropianëve janë Rumania dhe Bullgaria. Në Rumani problemi është se pothuajse 50 për qind e popullsisë nuk është e bindur se duhet të vaksinohet.
Sipas Andrei Baciu, eksperti i angazhuar nga qeveria për reagimin ndaj koronavirusit, kjo përqindje përfshin pragmatistët, që janë të gatshëm për kompromise, si dhe ata që janë kundërshtarë të paepur. Popullsia rurale ka shumë vështirësi në qasjen tek qendrat e vaksinimit, dhe Baciu po përpiqet që ta zgjidhë këtë problem në mënyra të ndryshme,
si për shembull duke ndërtuar qendra të lëvizshme.
Një mënyrë tjetër për të bindur pragmatistët, është përdorimi i disa personazheve publikë shumë të njohur si promovues të fushatës së vaksinimit. Kundërshtarët e paepur thotë Baciu, janë një pakicë shumë e vogël dhe e ngushtë.
Ndërkohë, 22 për qind e bullgarëve thonë se refuzojnë të vaksinohen. Mosbesimi ndaj vaksinave është shumë i pranishëm jo vetëm tek të moshuarit, por edhe tek disa mjekë. Çështja është kaq shumë përçarëse, sa që i shtyu politikanët në prag të zgjedhjeve parlamentare të prillit, që të mos merreshin fare me këtë çështje për të shmangur humbjen
e votave dhe popullaritetin. Në këtë kuadër nuk ndihmuan as mangësitë serioze në lidhje me shpërndarjen dhe ruajtjen e vaksinave.
Britani e Madhe:Tërheqje e kundërshtarëve të vaksinave
Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare, vetëm 6 për qind e qytetarëve britanikë në moshë madhore, raportuan se hezitojnë të vaksinohen. Gjithsesi numri i hezituesve po zvogëlohet midis më të rinjve por edhe brenda komuniteteve aziatike dhe zezakëve.
Pra lëvizja kundër vaksinave po e humbet forcën e saj në të gjithë vendin, edhe pse ka disa përjashtime nga mbështetësit e saj më të vendosur. Mijëra demonstrues marshuan disa javë më parë në Londrën Qendrore, në atë që ishte me shumë gjasa protesta më e madhe anti-bllokim në Britaninë e Madhe.
Ndër teoritë që qarkullonin midis protestuesve, ishte ajo sipas së cilës vaksinat anti-Covid ishin një armë kimike e krijuar nga qeveria për të zvogëluar popullsinë në vend. Qendra për Luftimin e Urrejtjes Dixhitale, e cila monitoron grupet kundër vaksinës në mbarë botën,
tha se lëvizja në Britani është e vogël kur krahasohet me atë të kombeve të tjera evropiane.
Një nga degët e saj më të rëndësishme “Save Our Rights UK”, ka vetëm 10.000 ndjekës në rrjetin social Telegram. Gati 44 milionë njerëz, ose 83.3 përqind të popullsisë së rritur në Britaninë e Madhe, kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës deri në 26 qershor. Një shifër mbresëlënëse që nuk lë vend për dyshime.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al