Kush ishte shënjestra e atentatit? Tufat me 500-çe euro, “Scorpions”-at dhe radiot që u sekuestruan

schedule11:23 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 11:23 - 8 Dhjetor, 2021

Policia e Lezhës njoftoi sot se parandaloi një atentat. Emri i shënjestrës nuk u zbulua. Tre persona janë arrestuar për atentatin që ishte përgatitur në Lezhë për të vrarë një person në Tiranë, ndërsa dy u shpallën në kërkim.

Të arrestuarit në kuadër të operacionit “Mataro” janë Mark Lamkja, Nikoll Marku dhe Marie Marku, ndërkohë që në kërkim janë shpallur Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka me precedent jashtë vendit.

Në momentin që policia ndërhyri për të goditur grupin u sekuestruan mina me telekomandë, arsenal armësh e municionesh, drogë dhe një shumë e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale.

Konkretisht janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë. 88.900 euro, të ndara në tufa mes tyre me 500-çe të cilat sipas policisë janë të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike.

Gjithashtu u sekuestruan 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë, 2 skafandra motori dhe një makinë.

Armët e sekuestruara sipas policisë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë./ Abcnews.al