Nëna e 28-vjeçarit Florenc Kovaçi që u vra me thikë tre net më parë në Elbasan pas një konflikti ku shkak mësohet se ka qenë një vajzë bën thirrje për drejtësi, pasi në të kundërt ajo paralajmëron vetëgjyqësi.
Nëna e djemve, njëri u vra dhe tjetri u plagos, Mirela Kovaçi shprehet për mediat se nëse autori nuk dënohet do ta vrasë vetë. “Një ngjarje shumë e rëndë. Nuk di gjë fare, vetëm kur më sollën haberin për djalin. E kam gjetur fëmijën shtrirë, te dera e spitalit nuk foli më. Ai të kalbet brenda në burg.
Djalin nuk e kam me të meta mendore dhe asgjë fare, unë dua të drejtën e djalit. Ai të kalbet në burg, se ai gjallë nuk rri, do të jem unë shkaktare që do ta vras. Si më iku djalin im edhe ai do të shkojë te djali im. Do ta kërkoj të drejtën e djalit” tha ajo.
Mirela Kovaçi tregon edhe amanetin e fundit të djalit që ndërroi jetë në derën e spitalit. “Kur e kam gjetur djalin e ngrita. Djali bënte “of”, “of”, e futa te dera e ambulancës, ai u përpiqte, te dera e spitalit më kapi në qafë, amanet çunin dhe gocën më tha, do të më jepte prapë amanete, por nuk foli më dhe më kafshoi, e kam shenjën, dhe nuk foli më.
Djali e dha jetën te dera e spitalit. Djali ishte goditur me thikë në zemër dhe në fytyrë. Syri ishte mbyllur fare. Këpucët ja gjeta poshtë makinës. Nuk kam fuqi të flas më. Nuk flas më. Më iku gjithë ai “dif”, zemra më digjet kur e kujtoj” tha ajo.
Shkak i sherrit dyshohet se ishte një vajzë, gjë të cilën e pohon edhe e ëma e djalit që vdiq. “Ajo, ajo ka qenë një plehrë, një rrotë kur*e, që pinte drogë, ajo ishte droguar”.
Motra e autorit? “Po. Edhe këtu ka ardhur atë ditë në lagje që po qanim djalin, vetëm se mos e takofsha. Do të marr një kg benzinë dhe do ta djeg, nuk e lë gjallë atë. Si iku djali im do të ikë edhe ajo”.
Por a ishte vajza e lidhur me djalin tjetër që është i plagosur në spital? “Nuk e di për atë tjetrin. Ky nuk ka pasur kontakt fare me atë. Se cfarë ka bërë ai tjetri nuk e di”. Por a ka kontaktuar familja e autorit me nënën e viktimës?
“Jo. Biles gjyshja e asaj, mos i shkoj në shtëpi se do ta shklyj. Dhe mos i hedhë llafe, vajzës së motrës sime. Nuk kam fuqi të flas më, po e mbaj shpirtin me ilaçe. Më digjet zemra për atë çun. Jam pa shtëpi, pa lekë dhe rrugëve”.
Por si është gjendja e djalit tjetër, Mikelit që ndodhet në spital? “Ai keq është. Mbrëmë gjithë natën ka pasur dhimbje, orë e minutë i ndërrohen fashot. Edhe ai po ikën”.
Nëna e viktimës ka një apel të fundit për shtetin. “Unë dua të drejtën e fëmijës tim, ai të kalbet në burg dhe ajo vajza të futet brenda. Unë po qaja djalin, ajo (vajza) vinte kalonte në lagje. Vetëm se nuk dal dot rrugëve se e bëj unë atë… Ai ka qenë i urtë (djali)”.
Autori i vrasjes është Ardit Hida i arrestuar pas ngjarjes. Ai qëlloi me thikë në drejtim të vëllezërve Kovaçi duke lënë të vdekur Florenc Kovaçin, ndërkohë që i plagosur mbeti vëllai i tij Mikel Kovaçi./ Abcnews.al