Kush i mori 3.6 milion euro? Energoinvest – një Pandorë për të gjithë pushtetarët

schedule16:23 - 6 Tetor, 2021

schedule 16:23 - 6 Tetor, 2021

Nga Ermal Mulosmani

Zbulimi i transaksioneve të dyshimta që kompania boshnjake Energoinvest ka kryer në drejtim të një kompanie të vogël konsulence, të regjistruar në një nga vendet e parajsave fiskale, pa asnjë arsye të dukshme dhe refuzimi i të gjitha palëve për të dhënën shpjegime për këto pagesa, ka ngritur dyshime të mëdha për implikimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë në afera korruptive me kompaninë boshnjake.

Aq më tepër marrin krahë këto të dhëna prej thashethemeve që kanë qarkulluar për këtë kompani në vitet 2011 -2013 për tenderin e ndërlidhjes energjitike Shqipëri Kosovë.

Historia me fjalë të thjeshta është kjo:

Banka gjermane KfW ka nënshkruar me qeverinë shqiptare një kredi me vlerë 45 milionë Euro për ndërtimin e linjës së re 400 kilovoltëshe që lidh Shqipërinë me Kosovën. Linja e vjetër ishte 220 kilovolt dhe vështirësonte ndërlidhjen energjitike mes dy vendeve duke e lënë Kosovën në varësi të importit nga Serbia. Në këtë kontekst, rëndësia e ndërtimit të kësaj linje ishte shumë  e madhe sa që krahasohej me Rrugën e Kombit.

Qeveria Berisha e tenderoi interkonjeksionin (ndërlidhjen) në vitin 2011. Fondi limit ishte 42 milionë Euro. Në tenderin e organizuar sipas kërkesave të financuesve të kredisë, gjermanëve të KfW-së, marrin pjesë dy firma ballkanike: Energoinvest, kompani boshnjake dhe Dalekovod- kompani kroate.

Kredituesit gjermanë e bënë tenderin sipas parametrave të tyre ku përparësi kishte garancia teknike në raport me çmimin e ofruar (70% me 30%). Mbi këtë bazë, fituese u shpall kompania kroate megjithëse vlera e ofruar për realizimin e punimeve ishte 30% më e lartë sesa boshnjakët e Energoinvest ose 8 milionë Euro më shumë.

Këtu fillon e komplikohet situata.

Ridvan Bode, Ministër i Financave të Shqipërisë, shprehet kundër përzgjedhjes së kroatëve me arsyetimin e diferencës së madhe të çmimit të ofruar. Ja si shprehete ai midis të tjerave në letrën drejtuar KfW-së:

“Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues”

Bode shkon deri aty sa, me pak kujdes, hedh edhe hije dyshimi për korrupsion të gjermanëve kur thotë:

“Sipas OST-së, vlerësimi teknik i ofertave në formën e tij aktuale përmban subjektivizëm të pashmangshëm për disa zëra, duke “përcaktuar” fituesin që pas hapjes së propozimit teknik, pavarësisht vlerës së ofertës ekonomike, për shkak të peshës shumë të madhe që kriteri teknik ka krahasuar me atë ekonomik”

******

Por ndryshe mendon Ministri i Energjitikës, Nasip Naço (17 Janar 2011-03 Korrik 2012). Ai, me datën 20 Shkurt 2012, i shkruan një letër të gjatë Drejtorit të Zyrës Antikorrupsion në Kryeministri, Iv Kaso,  ku mbron përzgjedhjen e Dalekovod si fitues të tenderit. Kjo letër dëshmon edhe për një kontradiktë mes palëve politike në Qeveri (PD-LSI). Letra e Naços ishte në përgjigje të kërkesës së Kasos për një “dërgim raport kontrolli”.

Nga kjo letër kuptohet që Qeveria me dy koka (PD-LSI) është e ndarë në dy linja. Dyshimet janë reciproke. Naço mbron linjën e gjermanëve me 8 milionë Euro më shumë ndërsa Bode mbron idenë e boshnjakëve me cilësi më të dobët teknike. Këtu shtohen edhe hijet e dyshimit brenda qeverisë (Ministri LSI–Kryeministër PD). Koalicioni Berisha-Meta ishte në ditët e tij të fundit dhe mosbesimi reciprok sundonte. “Kush po ia fuste kujt”-  ishte motoja e atyre ditëve.

Bode kërkon ribërjen e tenderit, banka gjermane vë kusht që në rast të përsëritjes së tenderit kostot shtesë të paguhen nga shteti shqiptar. Raportet ndërshtetërore janë të tendosura. Në këtë kohë, udhëheqësi i Opozitës, bën thirrje që të shikohet flamuri kombëtar jo ai i korrupsionit(18 Prill 2012). Ishte një retorikë jashtë natyrës së Ramës që rrallë flet për interesat madhore  apo  flamur kombëtar. Kjo ishte zona e kundërshtarit politik të tij.

Një gjë është fare e qartë. Ose Berisha dhe enturazhi i tij po ndihej i përdorur nga pala e gjermanëve & LSI dhe duhej të ndalonte vjedhjen e supozuar ose ai kishte interesa që paratë të shkonin te kompania Energoinvest. Ose të dyja bashkë.

Një periudhë e gjatë ngërçi, gati dy vjeçar, i mbajti të tendosura nervat e palëve. Qeveria shqiptare nuk pranonte zgjedhjen e gjermanëve, këta të fundit nuk pranonin ribërjen e tenderit.

Në fund, u arrit kompromisi . Në Mars 2013 u vendos që tenderi të ribëhej.

Në datën 09 Gusht 2013, kohë kur Qeveria Berisha ishte në periudhën tranzitore për kalimin e pushtetit te koalicioni Rama –Meta, Komisioni i Tenderit skualifikon të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në garë përveç Energoinvest.

Ky seleksionim i të gjithë konkurentëve dhe koha kur është bërë lënë hije të forta dyshimi për klientelizëm. Ato kohë Ministër i Energjisë në Qeverinë Berisha ishte Florian Mima, Drejtor i OST-së vazhdonte Arben Ibro. Pala gjermane çuditërisht këtë radhë nuk ka ankesa…

Oferta financiare e të vetmit konkurent në garë, Energoinvest, u hap në 01 Nëntor 2013 nga pushtetarët socialist që kishin ndërruar edhe Drejtorin e OST-së me urgjencë. Oferta ishte për 29 milionë Euro, 2 milionë më shumë se oferta e tenderit të parë nga Energoinvest ose 6 milionë më pak sesa kroatët e Dalekovod-it.

Pas një muaji Energoinvest lidh kontratë me Ministrinë e Energjitikës dhe më datën 21 Dhjetor 2013, në një ceremoni patetiko-patriotike, në Godinën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Damian Gjiknuri do të huazonte shprehjen emblematike drejtuar Komandantit të UÇK-së Adem Jashari : “Bac u kry”! Kjo retorikë e fryrë nacionaliste i vuri kapakun aferës dy vjeçare me shumë diskutime…

Ministria e Gjiknurit, në një njoftim për mediat, sqaron se Kompania Energoinvest është një kompani me kapital shtetëror në shumicën e saj :

Kompania nga Bosnjë-Hercegovina, ‘Energoinvest’ (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror), do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë.”

Më tej njoftimi shton:

“Selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës KfW, gjatë qeverisjes së shkuar. E gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e bankës gjermane e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013.

Një vëzhgues i paanshëm vë re disa zona të mjegullta në këtë aferë. Përse Gjiknuri, Rama dhe gjermanët këtë radhë ranë dakort me Energoinvest-in, të përzgjedhurin e Berishës, madje u përpoqën ta përkëdhelnin me mbulesa “shtetërore” dhe kujdes gjerman? A u bënë të gjitha palët pjesë e tortës së boshnjakëve dhe e mbyllën gojën? Kjo deklaratë e Ministrisë së Energjitikës i shërben mjaft mbylljes së aferës. Përdorimi i domosdoshmërisë për kombin dhe garancisë gjermane ishin mekanizmat e mbylljes.

Nëse do e shohim nga prizmi i interesave të Qeverisë së Shqipërisë, duket mjaft e drejtë vërejtja e Bodes sipas së cilës çmimi i ofruar të kishte kaq pak rëndësi. Bëhej fjalë për një kredi jo donacion. Qeveria Shqiptare do ia kthente deri më një paratë bankës KfW, madje edhe interesat. Duket pa sens ekonomik këmbëngulja e bankës gjermane për të përzgjedhur ajo fituesin e tenderit sipas procedurave të saj dhe Qeveria Shqiptare të pranonte zgjedhjen.

Nga ana tjetër, këmbëngulja për të ribërë tenderin pa ardhur në fuqi Qeveria e re lë shije të keqe. Nëse do të donte të lante veten nga çdo akuzë, Qeveria e Berishës nuk duhej të bënte skualifikimin e të gjithë konkurentëve me datën 09 Gusht 2013 dhe lënien e Energoinvest si zgjedhje e vetme.

Vendimet të mëdha të marra nga Qeveri kujdestare në mes të Gushtit gjithmonë lënë pas shumë dyshime. Nëse do të donte të ishte deri në fund e larë me këtë aferë, Partia Demokratike duhej ta shtynte skualifikimet teknike pas krijimit të Qeverisë së re….

*******

Për kë ishin 3.6 milion Eurot që mbërrinë në llogarinë  Vasil Kallupit nga Energoinvest?!  A ishin ato tangent për pushtetarët shqiptarë për tenderat e ofruar? A kishin të bënin konkretisht me tenderin e ndërlidhjes Shqipëri Kosovë?

Këto pyetje vështirë se do marrin përgjigje ndonjëherë. Vënia e kapakut kombëtar mbi kusinë e mutit të korupsionit vetëm sa ia përhapi erën në të gjitha palët për të ngatërruar gjurmët. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!