Nga Ian Buruma, Project Syndicate
Përveç 74 milion votuesve në Shtetet e Bashkuara, kush e pëlqen ende presidentin në ikje Donald Trump? Shumica e evropianëve, janë shumë të lumtur që ai do largohet nga detyra në janar. Por ai ka qenë popullor tek një numër i madh demagogësh të ekstremit të djathtë, dhe shumë nga pasuesit e tyre.
Admirimi i tij ndaj autokratëve, përbuzja për emigrantët, pakicat racore dhe myslimanët (përveç disa princave sauditë), dhe neveria e tij ndaj normave demokratike liberale, forcuan pozitat e qeverive autoritare në Hungari, Poloni, Brazil, Indi dhe Filipine.
Vlerësimi i tij ndaj presidentin rus Vladimir Putin, nuk u vu asnjëherë në dyshim. Humbja e Trumpit në zgjedhjet e 3 nëntorit, përbën tashmë një pengesë për të djathtën populiste globale. Ndërsa shumë nga udhëheqësit e saj do t’i mbijetojnë këtij momenti, një lëvizje tashmë e shfrenuar anti-liberale ndoshta do të ishte bërë edhe më e fortë me një kampion triumfues të kauzës së saj në Shtëpinë e Bardhë.
Trump pati gjithashtu mbështetjen e popullsisë në 2 vende demokratike, Izrael dhe Tajvan, ku u pa si armiku më i fuqishëm i armiqve të tyre, përkatësisht Iranit dhe Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri izraelit i krahut të djathtë, Benjamin Netanyahu, mori gjithçka që donte nga administrata Trump.
Palestinezët nuk morën asgjë. Mbështetësit më fanatikë të Izraelit në SHBA, janë gjithashtu, në përgjithësi mbështetës të Trumpit. Jo hebrenjtë amerikanë, që votuan kryesisht për Joe Biden, por të krishterët ungjillorë, të cilët besojnë se Zoti i dha Tokën e Shenjtë ‘Popullit të Zgjedhur’, të paktën deri në ardhjen e dytë të Krishtit, pas së cilës hebrenjtë do të duhet të bëhen të krishterë.
Por popullariteti i Trump është më interesant në Azinë Lindore, dhe kjo pasi aty shumë nga mbështetësit e tij nuk i përkasin as krahut të djathtë dhe as atij anti-liberal. Përkundrazi, shpesh është e kundërta. Është e vërtetë, disa njerëz në Kinë janë dakord me frikën e Trump ndaj myslimanëve, por nuk është kjo arsyeja kryesore e ndjenjave të tyre pro-Trump.
Në fillim të këtij viti, unë bisedova me aktivistë pro-demokracisë në Hong Kong dhe Tajvan, të cilët e shihnin Trumpin si një udhëheqës realisht të trashë, por të fuqishëm të botës së lirë kundër tiranisë komuniste.
Flamuri i SHBA-së rrallë mund të mungonte në protestat publike në Hong Kong dhe në tubimet zgjedhore të Partinë Demokratike Progresive në Tajvan.Edhe këtu, ndikimi i krishterimit luan rolin e tij. Një nga aktivistët më të guximshëm të demokracisë në Hong Kong është sipërmarrësi dhe manjati i medias Jimmy Lai.
Që kur ish-kolonia britanike iu dorëzua Kinës në vitin 1997, Lai ka qenë në ballë të luftës për një liri më të madhe qytetare. Gjithashtu, ai është kthyer në një katolik të thekur, dhe beson se beteja midis demokracisë dhe diktaturës komuniste kineze, është një përplasje qytetërimesh midis botës së lirë të krishterë dhe një Kine atavike,despotike.
Shumë disidentë të krishterë kinezë bien dakord me mendimin e Lait. Ata besojnë se demokracia liberale është një produkt i civilizimit perëndimor, gjë që është e vërtetë. Por pikëpamja e tyre se demokracia nuk do të ishte e mundur pa besimin e krishterë (Greqia antike harrohet lehtë) është më e diskutueshme.
Koncepti se aziatikët nuk mund të jenë demokratë të vërtetë, në rast se nuk janë të krishterë, është dukshëm i rremë. Por dashuria kineze ndaj Trumpit nxitet nga të tjera gjëra. Siç shkroi Ian Johnson kohët e fundit në “The New York Times”, disa disidentë liberalë në Kinë shqetësohen nga luftërat e kulturës që po zhvillohen në SHBA.
Ata e shohin zellin e të majtës amerikane në këtë aspekt, përmes lenteve të historisë së tyre shumë më të dhunshme. Kur ata shohin njerëz që përndiqen për “papastërti ideologjike”, u dalin fantazmat e Gardistëve të Kuq të Maos. Për ta, mos-korrektesa politike dhe harbute e Trump është një kundër-masë logjike.
Por arsyeja kryesore pse njerëzit e admirojnë Trumpin në Hong Kong, Tajvan, Japoni, Korenë e Jugut por edhe Kinë, është frika nga regjimi kinez. Pavarësisht nga lajkat e tij sporadike ndaj presidentin kinez Xi Jinping, Trump shihet si njeriu që i qëndroi ballazi regjimit komunist.
Dhe kjo është trashëgimia e tij më e rëndësishme, në sytë e atyre që besojnë se bota është e ndarë midis dy fuqive të mëdha, njëra ende demokratike, dhe tjetra nominalisht komuniste. Sigurisht, në vende të caktuara, pushteti i Kinës është pasur frikë për shumë shekuj, pavarësisht se kush ndodh që të jetë në pushtet, perandorët apo komunistët.
Shumë vietnamezë e lavdërojnë Trumpin, por jo sepse ata drejtohen nga vetë komunistët autokratikë. Ndonëse SHBA-ja e shkatërroi pjesën më të madhe të Vietnamit shekullin e kaluar, armiku tradicional i Vietnamit është Kina. Qëndrimet e Koresë së Jugut dhe Japonisë ndaj SHBA janë të dykuptimta.
Trump ka mbështetësit e tij në këto vende. Por ndryshe nga Tajvani, jo tek shumica. Ndërsa fuqia kineze përjetohet shpesh si kërcënuese në të dyja vendet, varësia nga SHBA për sigurinë ka qenë një domosdoshmëri dhe në disa raste jo pak irrituese. Dhe një bullist në Shtëpinë e Bardhë, e shton nivelin e acarimit.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden, do të jetë thuajse me siguri një bartës më popullor i “barrës” amerikane në Azinë Lindore. Marrëdhëniet e Biden me Kinën, do të jenë gjithashtu më pak e paqëndrueshme dhe më diplomatike. Por tensionet themelore midis një superfuqie demokratike dhe autokratike do të mbeten – madje mund të përkeqësohen nëse Kina ruan suksesin e saj ekonomik.
Në një epokë zhgënjimi në rritje me qeverinë demokratike, Kina është një model joshës për shumë njerëz. Mjafton të krahasoni trenat, aeroportet dhe lehtësitë e tjera moderne kineze me infrastrukturën e shkatërruar të Amerikës. Nëse trenat funksionojnë në kohë, kjo nuk është sigurisht metoda e vetme, apo ndoshta edhe më e mira, për një qeveri të mirë. Edhe trenat e Musolinit mbërrinin në kohë nëpër stacione.
Të paktën SHBA-të i kanë treguar botës se rrëmujaxhiu në pushtet mundet ende të dëbohet prej andej. Por nëse Amerika do të mbahet si një model që iu kundërvu sistemit kinez, atëherë presidenti i saj i fundit ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi, për ta bërë atë të duket si ai më pak tërheqëse. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al