“Kurti ndërhyn në politikën tonë”, Ali Ahmeti: Ndërhyrja dëmton shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

schedule23:30 - 6 Maj, 2024

schedule 23:30 - 6 Maj, 2024

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti deklaroi këtë të hënë se ndërhyrjet e Albin Kurtit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut nuk janë lëvizje të mira. Deklarata e Ahmetit vjen pas lëvizjes së Kryeministrit të Kosovës që përçau shqiptarët në zgjedhjet Presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kreu I BDI-së u shpreh se Kosovës I intereson që të ketë miqësi me fqinjët ndërsa shtoi se për të Kosova do të jetë gjithnjë një pike e dobët.

“Sa i takon marrëdhënieve Kosovë-Maqedoni e Veriut, ka ndodh ndërhyrje që i bëhet nga këtu, nuk është e mirë sepse Kosovës i duhen miq, në veçanti shtetet fqinje. Fqinjët duhet t’i ketë aleat për proceset e rëndësishme. Maqedonia e Veriut vend anëtare në NATO, është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është në të gjitha institucionet ndërkombëtare, kurse Kosova sigurisht që është e pikë e dobët, duke filluar nga unë. Këto raporte që ju i theksoni fare nuk do të ndikojnë në raportet ndërshtetërore Kosovë-Maqedoni e Veriut, por e mira është që të mos lihet një hije e keqe tek njerëzit, tek popullata në Maqedoni”, ka thënë  ai.

Ahmeti mori edhe shembullin e Shqipërisë duke thënë se Tirana Zyrtare ashtu si Maqedonia  e Veriut nuk ka ndërhyrë kurrë në skenën politike të Prishtinës Zyrtare.

“Unë nuk jam involvuar asnjëherë në Kosovë, pavarësisht se unë të gjithë i kam bashkëluftëtarët të angazhuar në partitë politike por asnjë raund nuk kam mbajt anë. As Shqipëria nuk ka mbajt anë në Maqedoni por kjo varet edhe prej qëndrimeve të njerëzve, prej qëndrimeve të drejtueseve. Nuk do të ketë ndonjë pasojë apo diçka e tillë në Maqedoni. Nuk ka ndikuar në përçarje por nuk pritet me admirim kjo ndërhyrje”, shtoi ai.

Ali Ahmeti bëri këto deklarata, ndërsa mori pjese këtë të hënë në nderimet për Luan Haradinaj, në 27 vjetorin e rënies së heroit të Kombit të Kosovës në memorialin e Gllogjanit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!