Albin Kurti po mbron krimin dhe korrupsionin. Kështu ka thënë Ramush Haradinaj në një deklaratë për mediat në Kosovë.
Sipas kreu të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, fakti që Kurti nuk po paraqitet në Prokurorinë Speciale, tregon se ai është krah të akuzuarve për korrupsion dhe vjedhje dhe jo në anën e ligjit.
“Lufta kundër korrupsionit ose hajnisë nuk është e lehtë ka qenë e vështirë gjithmonë ka pasur shqetësime për korrupsion edhe në të kaluarën në të gjitha qeveritë edhe në qeverisjen time. Mirëpo çdoherë zyrtarët shtetërorë, udhëheqësit e shtetit kanë qenë me ligjin dhe në anën e prokurorëve” – u shpreh Haradinaj.
Sjellja e Kurtit dëmton shtetin ligjor por edhe Kosovën në planin ndërkombëtar, tha Haradinaj.
“Është hera e parë në historinë e Kosovës, që kryeministri nuk është me ligjin e as me prokurorinë, por është me hajninë, me të akuzuarit për hajni… Është veprim i gabuar dhe i dëmshëm për shtetin ligjor edhe na dëmton shumë planin ndërkombëtar, sepse vlerësimi për shtetin ligjor të Kosovës dobësohet kur kryeministri nuk e respekton ftesën e prokurorit” – u shpreh ai.
Kurti madje mund të jetë i përfshirë në skema korrupsioni, sipas Haradinajt. Kreu i AAK e cilësoi kryeministrin “shefin e hajnave”, që ka mundësuar vjedhjen dhe po i mbron ata që janë të akuzuar për këtë veprim.
“Mosshkuarja mund të jetë për arsye se ky është i involvuar në hajni, pra është pjesë e hajnisë, Kurti është shefi i hajnave që i ka në Qeveri sepse ai ka krijuar mundësi për me vjedh dhe po i mbron, pra po shihet që ky frikësohet për hajninë që e ka bërë me kolegët e tij” – u shpreh Haradinaj.
Albin Kurti nuk është paraqitur asnjëherë në Prokurorinë e Speciales pasi u thirr si dëshmitar për rastin e rezervave shtetërore. Ai ka pranuar të flasë vetëm nëse prokuorët shkojnë në zyrën e tij.
/ abcnews.al