Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,ka ftuar sërish këtë të hënë LDK-në që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook i ka bërë të qartë LDK-së, se Glauk Konjufca është kryeparlamentar dhe se qytetarët kanë nevojë që të kenë një qeveri të re ashtu siç e kanë dëshiruar.
“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutësh nuk kemi marrëveshje. Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi të gatshëm për takime tjera”, tha ai.
Ndër të tjera në videomesazhin e tij ai ka theksuar se, propozimin e tij për mandatar për kryeministër ia ka dorëzuar presidentit Hashim Thaçi, pa ndonjë marrëveshje me LDK-në.
Gjithashtu ai është shprehur se në ditët në vijim në kuadër të formimit të qeverisë së re të Kosovës do të takohet edhe përfaqësuesit e pakicave.
“E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja ‘Merre ose lëre’, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë. Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak. E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca. Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, theksoi mandatari për kryeministër”, ka thënë lideri i VV./abcnews.al