Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se gjendja e kapaciteteve të prodhimit në Korporatën Energjetike të Kosovës është e njëjtë me ato të pasluftës.
Ai tha se pamëshirshëm është vjedhur në KEK gjatë këtyre viteve.
Ai përmendi edhe keqpërdorimet e tenderëve.
“Edhe pse në KEK nga paslufta janë investuar më shumë se një miliardë euro gjendja e kapaciteteve prodhuese është njësojë sikurse ajo kur kemi dalë pasluftës. Me këto investime poqëse të mos ishte vjedhur pamëshirshme sikurse edhe në tenderët e panumërt sot gjendja në prodhim i kapaciteteve të KEK-ut do të ishte krejt ndryshe dhe nuk do të kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve si po na ngjan”, deklaroi Kurti.
Më tutje Kurti foli edhe për investimet që janë bërë në KEK gjatë këtyre viteve.
Kurti theksoi se investimet kanë qenë miliardëshe.
“Edhe këtu mund të mos i quajmë mbi një miliardë investime, por një miliardë mjete për KEK-un ku një pjesë e konsiderueshme nuk mund t’i quajmë investime. Në Kosovë që nga viti 2005 ka nisur të flitet për kapacitete të reja prodhuese. Sikur të ishte filluar me kohë ndërtimi i kapaciteteve të reja apo edhe rindërtimi i Kosovës A siç ka qenë një ide e shndërruar në projekt konkret para disa vitesh, sot s’do të kishte nevojë fare për import të energjisë. Përkundrazi kriza energjetike do të mund që të sillte përfitime për prodhuesit vendor”, ka thënë ai.
Kryeministri pohoi se KEK-u nuk është trajtuar si një aset i rëndësishëm shtetësor por si një ndërmarrje kalimtare.
“Trajtimi i KEK-ut si një ndërmarrje kalimtare e jo si një aset i rëndësisë më të lartë strategjike në vend, e kalon burimin kryesor të energjisë në Kosovë në situatë të mjerueshme ku përkundër përpjekjes nga stafi, situata në elektreana vazhdon të jetë e paparashikueshme”, tha ai. /Express