Kurthi i “Mekanikut”, njeriu që “çmontoi” Talo Çelën: Nga “Benz”-i te maska, si e përgatitëm vrasjen

schedule22:20 - 12 Korrik, 2021

schedule 22:20 - 12 Korrik, 2021

Grupi kriminal i drejtuar nga Talo Çela nuk është i akuzuar vetëm për vrasjet e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiajt, por edhe ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, të ndodhura në Durrës në vitin 2019 brenda një harku kohor prej dy javësh.

Por si ishin ndarë rolet brenda bandës për të shkuar te ekzekutimi?

Në dosjen e siguruar nga gazetari i “ABC” Ermal Vija dokumentohet cdo lëvizje e personave të akuzuar si të përfshirë. Klevis Alla, personi që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe që thirrej me pseudonimin “Mekaniku” për shkak se punonte në një servis automjetesh kishte detyrë të përgatiste makinën që do të përdorej për të kryer vrasjen dhe për të ndjekur lëvizjet e shënjestrës.

Lexo edhe: “Toyota me pranga dhe anti-plumb”, përgjimet e reja të Talo Çelës: Ke 5 mijë € në dorë, a je gati?

Klevis Alla në vrasjen e Dorian Shkozës ka luajtur rolin e ndihmësit duke fshehur makinën me të cilën do të kryhej krimi, përgatitur atë me xhama të errët dhe duke e dërguar në vendin e caktuar më parë. Gjithashtu ai ka informuar grupin për vendndodhjen e Dorianit pranë servisit të tij. Thirrja e fundit e gjetur në telefonin e Dorian Shkozës ka qenë e Klevis Allës” thuhet në dosje.

Makina me të cilën kanë lëvizur autorët ditën e vrasjes në 2 mars të vitit 2019 është siguruar nga Nuredin Dumani. “Makina Mercedes E class 220 CDI” me ngjyrë të errët sipas porosisë së Dumanit u modifikua nga Klevis Alla. Për shërbimet për përgatitjen e makinës për vrasjen e Dorian Shkozës, Klevis Alla u pagua 5500 euro nga Nuredin Dumani” thuhet në dosje.

Por si lëvizën autorët ditën që ndodhi vrasja e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias?

Bashkëpunëtori i drejtësisë Klevis Alla ka rrëfyer gjithçka me detaje hap pas hapi. “40 minuta para vrasjes sipas porosisë së Nuredin Dumanit çova makinën te vendi që kishim rënë dakord në rrugën “Prishtina” në breg të kanalit. 70-100 metra pasi u largova në këmbë pashë Nuredin Dumanin që po vinte me makinën e tij “Benz S-320” dhe më bëri me shenjë që të prisja që të kthehej. Nuredini ndaloi te vendi që kisha lënë makinën, zbritën tre persona me rroba të zeza dhe maska”.

Por kush ishin tre personat që hipën në makinën që do të kryhej vrasja?

Bashkëpunëtori i drejtësisë Klevis Alla shprehet se në makinë ishin “Besmir Haxhia, Talo Çela dhe Altin Ndoci”. Pasi la Haxhinë, Çelën dhe Ndocin te vendi që Alla parkoi makinën që do të kryej krimi, “Nuredin Dumani më mori mua dhe më la te servisi që të merrja makinën tjetër të tij” rrëfeu më tej Alla, që shtoi se gjatë rrugës, Dumani i ka konfirmuar se në makinën që dorëzoi në breg të kanalit dhe që u nisën për vrasjen ishin “Altini, Besimiri dhe Talo”.

Kush e nxori Dorian Shkozën në pritë?

Edhe në këtë rast ishte Klevis Alla që ka luajtur rolin për ta nxjerrë në pritë duke e futur në kurth. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka treguar se Dorian Shkoza e ka telefonuar për ta pyetur se ku ishte dhe që të shkonte te servisi pasi duhet ta takonte për rregulluar tre makina të ardhura nga Italia.

Alla, thotë më tej se Shkozës i ka thënë që të shkonte te servisi i tij, ndërsa në krahun tjetër ka njoftuar grupin e Talo Çelës për lëvizjet e shënjestrës, që e ekzekutuan.

Dorian Shkoza më telefonoi dhe më pyeti se ku isha. I thashë që jam në plazh. Më kërkoi që të vija te puna dhe i thashë në rregull. Pas kësaj, telefonova Nuredinin dhe i thashë që Doriani ishte te serivisi. Doriani më telefonoi sërish dhe më pyeti nëse do të vonohesha shumë dhe i thashë po vij jam rrugës.

Doriani më telefonoi për arsye pune, pasi para tre ditësh më kërkoi që ti rregulloja tre makina që kishin ardhur nga Italia, por iu shmanga për shkak të planit të bërë nga Nuredin Dumani me Talo Çelën dhe Besmir Haxhinë dhe Altin Ndoci” ka rrëfyer më tej ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!