Kursi i përgatitësit atletik, edhe Roberto Mancini krah FSHF-së

schedule09:38 - 29 Nëntor, 2020

schedule 09:38 - 29 Nëntor, 2020

FSHF vijonte fushatën për të bindur ata që merren me sport të mbeten në këtë botë dhe të përgatiten për pozicionin e përgatitësit atletik. Çdo klub profesionist duhet të ketë një të tillë në stafin teknik dhe në vendin tonë janë të paktë ata që e ushtrojnë këtë profesion.

FSHF ka pasur një takim edhe në Universitetin e Sporteve për të pasur një bashkëpunim, si dhe për të nxitur studentët që ta shohin si një profesion për në të ardhmen. Jo vetëm kaq, por ka edhe shumë emra të mëdhenj të trajningut që bëjnë thirrje për diçka të tillë.

FSHF-së në ndihmë këtë herë i ka ardhur trajneri i njohur, Roberto Mancini. Përmes një video-mesazhi, publikuar në uebin e federatës, ai thotë: “Kjo video është për të nxitur djemtë shqiptarë që bëhen gati për të nisur kursin e përgatitësit atletik. Unë besoj se përgatitësi atletik sot është një figurë mjaft e rëndësishme për skuadrat e futbollit, sepse duke pasur shumë lojtarë në dispozicion ndonjëherë duhen më shumë se një përgatitës atletik për skuadër.

Në fakt, ne në kombëtaren e Italisë kemi 2-3, apo me raste edhe 4 përgatitës, pra janë shumë të rëndësishëm për trajnerin, janë shumë të rëndësishëm për skuadrën. Të kesh ndihmën e përgatitësit atletik është diçka thelbësore, sepse përgatitësi arrin të kuptojë situatat dhe momentet ku duhet të punohet më shumë, ku duhet të punohet më pak, ku mund të ndihmohet trajneri.

Kështu që djem shqiptarë, ju sugjeroj ta frekuentoni kursin, sepse sigurisht që do t’ju ndihmojë të përmirësoheni, do t’ju shërbejë për të ndihmuar trajnerin tuaj dhe sigurisht do t’ju përmirësojë. Sepse frekuentimi i kurseve kaq të rëndësishme është një ndihmë e madhe për të ardhmen tuaj dhe për punën tuaj. Përqafime nga Roberto Mancini dhe mirupafshim!”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!