Kursi këmbimit euro lek në muajt e parë të vitit ka rezultuar më i qëndrueshëm krahasuar kjo me një vit më parë.
Mesa duket fushata apo procesi zgjedhor nuk kanë dhënë efekte konkrete në këtë drejtim.Sipas Bankës së Shqipërisë kursi eur/lek rezultoi mesatarisht 98.9, nga 98.4 që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në terma vjetorë, mbiçmimi i Lekut u ngadalësua, duke zbritur në 4.7% në tremujorin e parë, nga 5.6% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit vijoi edhe gjatë muajit prill, ku kursi rezultoi 99.1 lekë , pranë mesatares së vërejtur në muajin mars, ndërsa forcimi vjetor i Lekut u reduktua më tej, në 2.4%.
Ndërkohë tashmë që kemi hyrë zyrtarisht në sezonin turistik rritja e eurove në qarkullim mund të japë efekte në dobësimin e mëtejshëm të monedhës europiane kundrejt lekut.
Aktualisht në kursin e këmbimit një euro po këmbehet në kufijtë e 98 lekëve…
Ndërkohë që ecuria e Lekut kundrejt Dollarit amerikan është ndikuar më së shumti nga luhatjet në tregun ndërkombëtar të këtij të fundit. Leku u nënçmua ndaj Dollarit në dy muajt e parë të vitit, ku një dollar amerikan u kuotua mesatarisht me 95.1 lekë, nga 93.9 lekë në dhjetor të vitit të kaluar.
Më pas, dobësimi i Dollarit amerikan në tregun ndërkombëtar, erdhi si pasojë e pasigurive mbi efektet e politikave tregtare të ndërmarra nga SHBA-të, që diktoi rënien në muajt mars dhe prill. Në muajin prill, kuotimi mesatar për dollarin ishte 88.4 lekë, nivel ky 6.6% më i ulët se ai i një viti më parë./abcnews.al