Lavdia apo paratë? Te Borusia Dortmund ndoshta nuk do ta kishin menduar se një ditë do të ndodheshin përballë kësaj zgjedhjeje, të paktën jo kaq shpejt…
Verën e shkuar klubi gjerman shiti Xhud Bellingham te Real Madrid për 103 milion euro.
Por në marrëveshje përfshiheshin edhe shumë klauzola të tjera. Si për shembull, nëse madrilenët arrinin në finalen e Champions atëherë, duhet të paguanin edhe 15 milion euro. Akoma më shumë, nëse e fitojnë trofeun, atëherë duhet të derdhin në arkën e Borussia edhe 25 milion euro të tjera.
Kur ende nuk është plotësuar viti, klauzola e parë është aktivizuar, ndërsa e dyta, që ka edhe më shumë vlerë do të jetë aktive nëse Real Madrid triumfon më 1 qershor në finalen e “Uemblit”.
Por këtu nis edhe dyzimi në klubin gjerman, pasi për ironi të fatit, do të jetë Borussia Dortmund ajo që do të sfidojë skuadrën “Los Blankos”.
Në rast triumfi, nga UEFA, klubi verdhezi do merrte 20 milion euro si shpërblim për Champions, që do të thotë më pak nga sa do të fitonte nëse trofeun do ta ngrinte Real Madrid.
Me një llogari të ftohtë biznesi humbja e finales do të kishte më shumë leverdi për Borusia, por mundësia për të fituar Champion League nuk është nga ato që vjen shpesh…