Nga Vincenzo Musacchio “Huffington Post Italia”
Siç e dimë G20 është një forum ndërkombëtar që bashkon ekonomitë kryesore të botës. Vendet që bëjnë pjesë në të përfaqësojnë mbi 80 për qind të PBB-së botërore, 75 për qind të tregtisë globale dhe 60 për qind të popullsisë së planetit.
Një grupim i tillë do të ishte gjithashtu ideal për gjetjen e zgjidhjeve shumëpalëshe në luftën transnacionale kundër mafias dhe korrupsionit. Në një kontekst kaq të gjerë, organet përkatëse legjislative të vendeve pjesëmarrëse në një grupim të tillë, mund të stimulohen që të hartojnë dhe miratojnë ligje unitare dhe homogjene për të luftuar mafiozët dhe korrupsionin, me synim përshpejtimin e legjislacionit ndërkombëtar antimafia, që është Më se i nevojshëm për të mposhtur mafian e re.
Është më se e qartë se vetëm duke bashkëpunuar në nivel global, “shtetet” mund të përballen me sfidat e krijuara nga mafia e re, e cila gjithmonë mbetet në ndryshim të shpejtë, në mënyrë që të garantojnë homogjenitetin, stabilitetin dhe vazhdimësinë e sistemeve ligjore, që përbëjnë bazën e luftës kundër krimit të sotëm të organizuar.
Mjafton të vëreni për një moment se anëtarët e G20 janë:Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, Italia, India, Indonezia, Japonia, Meksika, Koreja e Jugut, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian.
Me Spanjën dhe Rusinë në G20, do të kishim pothuajse të gjithë botën të mbledhur bashkë për të diskutuar për këto çështje. Ministrat e Drejtësisë dhe ata të Brendshëm të vendeve të G20 mund të takohen çdo vit, dhe në atë takim mund të nxjerrin në pah çështjet kryesore mbi të cilat do të fokusohen më pas diskutimet, dhe masat legjislative përkatëse që do të ndërmerren në shtetet individuale.
Ndër temat e përbashkëta më të diskutuara duhet të jetë inovacioni i hetimeve dhe në veçanti teknologjitë e reja të hetimeve ekonomike dhe financiare në hapësirën kibernetike dhe dixhitale, në tregti dhe tek investimet ndërkombëtare.
Lufta kundër pastrimit të parave në këtë fushë, mund të garantojë një bashkëpunim shumë të ngushtë ndërkombëtar, i cili nuk ekziston aktualisht për shkak të ekzistencës së parajsave fiskale, ku hetuesit që përpiqen të gjurmojnë lëvizjet e parave, përballen me refuzimin e kërkesave për informacion,apo vështirësi në identifikimin e gjurmimit të transaksioneve financiare, kjo për shkak se tashmë nuk po hetohen më paratë, por garancitë e ekzistencës së tyre.
Legjislacioni kundër pastrimit të parave duhet të jetë ndërkombëtar, dhe të përfshijë analiza financiare të transaksioneve të dyshimta. Ndërkohë në rast se besohet se ato i përkasin krimit të organizuar, duhet të ndërmerren veprime ndërkombëtare edhe në nivelin e ndjekjes penale.
Ne kemi nevojë për ligje ndërkombëtare kundër mafias globale. G20 do të shërbente sigurisht edhe për bashkëpunimin në fushën e sistemit gjyqësor dhe policor midis shteteve në luftën kundër krimit të organizuar, që është në fakt i aftë për të vepruar dhe për të bërë biznes shumë larg kufijve kombëtarë.
Përfaqësuesit e qeverive, ministrat më të përfshirë në luftën kundër mafias, ekspertë dhe eksponentët e organizatave ndërkombëtare që janë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar,mund të takoheshin çdo vit për të vlerësuar situatën dhe për të diskutuar risitë dhe strategjitë e mundshme të luftës të imponuara nga evolucioni i vazhdueshëm i dukurive të krimit të organizuar.
Ky forum mund të mbahet çdo vit në Palermo të Italisë, me qëllim kryesor shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar. Një G20 e tillë do të analizonte legjislacionet e ndryshme anti-mafia të shteteve, duke u përpjekur të identifikojë mangësitë që na pengojnë të luftojmë në mënyrë efektive mafiozët dhe korrupsionin që janë në rritje globale.
Por G20 mund të bëhet një vend-takim edhe diskutimesh për një luftë efektive kundër mafias dhe korrupsionit në nivel global. Kjo ide e imja nuk është gjë tjetër veçse zhvillimi dhe përditësimi i vizionit që kishte gjykatësi i ndjerë Giovanni Falcone. Kjo do të shënonte padyshim një përparim në aksionin për të luftuar mafian në fushën ndërkombëtare. Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit të ri të organizuar, do të shndërrohej vërtet në një temë qendrore për liderët kryesorë të botës.
G20 mund të bëhet mjeti i ri për të hedhur themelet e nevojshme për bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar. Mafia ka ndryshuar, ashtu si variantet e një virusi për të cilin duhet imunizim me një vaksinë e cila është efektive në nivel global, përndryshe mutacionet do të rrezikonin të mbizotëronin në vend se të mposhten.
Veprimi në këtë drejtim do të ishte një sinjal i shkëlqyer i dhënë nga shtetet, dhe mund të shënonte një “Rilindje të re” në luftën kundër mafias moderne, që sigurisht është më e rrezikshme se ajo e mëparshmja. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

