Lajmet janë edhe më të mira, edhe të këqija. Të paktën disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare nuk ndodhen në momentin më pozitiv të sezonit. Njëri prej tyre është shpresa më e madhe e sulmit “kuqezi”, Armando Broja.
Ylli 22-vjeçar ka qenë në fushë vetëm për 31 minuta në tri ndeshje deri tani tek skuadra e tij e re, Fulham, dhe trajneri Marco Silva deklaroi në konferencën për shtyp se shqiptari duhet të presë momentin e tij, për të cilin ai shprehu besimin se do të vijë. Për momentin, titullar në sulm do të jetë Rodrigo Muniz që ka shënuar 3 gola së fundmi.
Duke kaluar në Itali, Kristjan Asllani mbetet gjithmonë në diskutim tek Inter. Pavarësisht ndonjë momenti të mirë, sërish ylli kuqezi nuk është konsideruar kurrë aq i mirë sa për titullar, dhe madje edhe si zëvendësues ka pasur pak mundësi, të paktën në Serie A.
Këtë sezon, ai ka qenë vetëm 4 për qind të rasteve në formacion, dhe ka luajtur vetëm 12 për qind të minutave, ndonëse në Champions dhe në Kupën e Italisë ka qenë më ndryshe. Asllani rrezikon edhe më shumë nga ardhja në verë e mesfushorit polak, Piotr Zielinski, që aktualisht luan për kampionen Napoli. Futbollisti 29-vjeçar, që kalon në Milano me parametër zero, është aktivizuar vazhdimisht për napolitanët këtë sezon, me 20 ndeshje, 2 gola e 2 asiste.
Marash Kumbulla, ndërkaq, nuk ka luajtur asnjë minutë te Sassuolo. Mbrojtësi “kuqezi”, madje nuk ka qenë në fushë për asnjë moment këtë sezon, duke qenë gati 10 muaj i dëmtuar. Në dy ndeshjet e fundit, ai ka qenë në stol, pai kaloi një problem muskulor.
Gjithsesi, problemi më i madh “kuqezi” mbetet në portë. Etrit Berisha ka kohë që është ulur në stol, pas një fillimi të mirë të sezonit. Gardiani “kuqezi” luajti 14 ndeshje radhazi pa humbur asnjë minut, duke shkëlqyer sidomos ndaj Napoli, por që nga 22 dhjetori nuk po aktivizohet, pasi portieri titullar, Caprile, u kthye nga dëmtimi, ndërsa Thomas Strakosha, ndërkaq ka luajtur vetëm në dy ndeshje në Premier League për Brentford. /i.m /abcnews.al