“Kuqezinjtë” i gëzohen fitores/ Bajrami: Nuk ka rëndësi kush shënon golin, Ramadani: Dhamë shpirtin në fushë

schedule20:56 - 14 Tetor, 2024

schedule 20:56 - 14 Tetor, 2024

Erdhi një fitore në momentin më të nevojshëm të mundshëm.

Pas dy humbjeve radhazi ndaj Çekisë e Gjeorgjisë, Kombëtarja e Shqipërisë është rikthyer te fitorja në arenën evropianë, duke i kthyer “reston” gjeorgjianëve pas humbjes së “Kuqezinjve” në “Air Albania”, një muaj më parë.

Ndër protagonistët e fitores minimale, 1-0 ishin edhe “yjet” e mesfushës, Nedim Bajrami e Ylber Ramadanin, të cilët pas ndeshjes bënë edhe nga një koment për sfidën.

Fillimisht Bajrami u shpreh se nuk ka rëndësi se kush shënon në skuadër për sa kohë Kombëtarja arrin të sigurojë fitore, teksa më tej shtoi se triumfi i kësaj të hëne, ndaj Gjeorgjisë do të mbetet në hisotirinë e futbollit tonë.

“Më rëndësi ka që fituam, nuk ka dert kush e shënon golin. Kur luan dy ndeshje aq shpejt, gjithë skuadra ka bërë luftë të madhe. Kemi bërë një fitore që do të mbetet në histori. Këto janë emocionet kur fiton ndeshjen. Siç festuam ata në Tiranë, festuam ne këtu”,- tha ndër të tjera “fantazisti”.

E më tej foli disa fjalë edhe “shkatërruesi” i Leçe, Ylber Ramadani, i cili e vlerësoi goxha lart performancën e Kombëtares e më tej u ndal edhe te rastet e humbura nga “Kuqezinjtë”.

“Sot ndeshja ka qene me të vërtetë e mirë, kemi dhënë shpirtin në fushë nga i pari në fund. Në Çeki u dënuam në minutat e parë dhe ishte e vështirë të hynim në ritmin tonë. Sot ishte ndeshje ku treguam karakter dhe ia dolëm.

Unë për vete mendoj se gjithkush është i gatshëm të japë 100 përqind, nuk ka hatërmbetje, nuk kam parë asnjëherë hatërmbetje në grupin tonë. Jemi të bashkuar, secili kur futet kërkon të tregojë veten dhe kush u fut bëri shumë mirë.

Ta mbyllnim ndeshjen? Unë mendoj se kur ishim në kundërsulm me Jasirin, mund të kishim mbyllur ndeshjen se ishin disa raste që një ekip lë hapësira kur hidhet para. Jasiri kishte dy herë shanse, por më tha që ishte i lodhur dhe nuk e diskutova më shumë.

Unë të them të vërtetën, mendoj se në Pragë nuk kemi bërë shumë që të merrnim diçka. Por këto ditë kanë qenë them paksa të vështira sepse jemi kritikuar shumë. Por kjo kritikë na ka bërë mirë”,- theksoi “motorri” i mesfushës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!