Ngritja e akuzave për krime lufte kundër kupolës së UÇK-së që sot përfundoi në Hagë me ish-Presidentin Hashim Thaçi në krye ka shkaktuar një tërmet politik në Kosovë. Gazetarja e “Ballkan” Linda Karadaku e ftuar në studion e ABC-së përballë gazetares Jonida Shehu u shpreh se situata ku sot ndodhet Kosova është e jashtëzakonshme
“Koha në të cilën u bë ishte e paparashikueshme. Megjithatë kemi që nga prilli që dimë që ishin ngritur disa aktakuza, në 24 qershor u bënë publike dhe prisnim nëse do të konfirmoheshim. Pak njerëz kanë pritur që ndaj Thacit të ngriheshin aktakuza. Por tani jemi në këtë situatë. Situata është e jashtëzakonshme se nuk bëhet fjalë për individë por kupolën drejtuese të UÇK-së. Nuk e dimë se cfarë do të ndodhë, aktakuza përfshin mbi 10 persona”.
Pyetja që shtrohet është a do të vijojë arrestimet? “Nga burimet e nivelit shumë të lartë, askush nuk mund të thotë me saktësi se nuk do të ketë njerëz që do të shkojnë në Hagë, por do të shkojnë. Bëhet fjalë për kupolën drejtuese të UCK, janë apo jo me kostum politikani kjo nuk ka rëndësi për gjykatën” tha gazetarja.
Ndikimi që ka shkaktuar në skenën politike në Kosovë është mjaft i madh, ndërsa në vijim është e vështirë të parashikohet se cfarë mund të ndodhë. “Është problem në shumë plane. Në skenën politike, ikin presidenti, tani është ushtruese e detyrës Vjosa Osmani. Do të ketë përpjekje për të zgjedhur një president të ri. Po ashtu kemi një ushtrues të detyrës në PDK pas ikjes së kryetarit, por edhe te Vetëvendosje. Dialogu me Serbinë ka pësuar një goditje.
Ramush Haradinaj kërkoi ndërprerjen e dialogut, por Hoti reagoi duke thënë se dialogu me Serbinë nuk duhet të ndërpritet. LDK dhe Vetëvendosje nuk preken. Vetëvendosje kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, por kemi edhe LDK-në që është shumë e konsoliduar, kontrollon qeverinë dhe mbetet plotësisht e pacenuar. Në akuzën ndaj Thacit, Veselit dhe të tjerëve bëhet fjalë për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Zyrtarë të LDK-së janë vrarë dhe nuk janë zbuluar autorët”.
Figurat politike që përfunduan në Hagë të paktën për 7 vite do të jenë jashtë skenës politike. “Serbia e ka ndihmuar gjykatën speciale me materiale me prova dhe dëshmitarë që janë pyetur në Beograd. Gjykata mund të zgjasë gjykimin nga 5-7 vite. Pra do të jenë jashtë skenës politike këta individë” tha gazetarja Linda Karadaku. / db/Abcnews.al